KORREKT / SOT29 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Albin Prapashtica po rikthehet fuqishëm, dy golat ndaj Dukagjinit i japin besim për vazhdimin e sezonit

Albin Prapashtica po rikthehet fuqishëm, dy golat ndaj Dukagjinit i japin besim për vazhdimin e sezonit

Sulmuesi anësor i Feronikelit ’74, Albin Prapashtica, po kalon një periudhë pozitive, duke u shndërruar në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës në ndeshjet e fundit. Pas dy golave në fitoren 3-0 ndaj Dukagjinit, ai beson se është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në formën më të mirë, ndërsa synon të ndihmojë ekipin të vazhdojë me rezultatet pozitive.

Feronikeli ’74 ka filluar të tregojë shenja të qarta përmirësimi në javët e fundit të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke marrë rezultate pozitive dhe duke synuar të largohet nga pozitat e fundit të tabelës. Në këtë periudhë, një kontribut të rëndësishëm po jep edhe Albin Prapashtica, i cili po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë.

Sulmuesi anësor ishte njëri prej protagonistëve kryesorë në fitoren e fundit 3-0 ndaj Dukagjinit, ku realizoi dy gola, duke dëshmuar se mund të jetë një armë e rëndësishme për skuadrën në vazhdim të kampionatit.

Në një intervistë për Telegrafin, Prapashtica ka thënë se beson se është në rrugën e duhur për ta rikthyer formën më të mirë, ndërsa dy golat e fundit i kanë dhënë më shumë besim dhe motivim për të vazhduar me paraqitje edhe më të mira.

“Besoj që jam në rrugën e duhur për t’u rikthyer në formën time më të mirë. Si futbollist, gjithmonë kalon nëpër periudha të ndryshme, por e rëndësishme është të mos dorëzohesh dhe të vazhdosh të punosh. Këto dy gola më japin më shumë besim dhe motivim për të vazhduar edhe më fortë. Shpresoj që të jetë vetëm fillimi dhe të kontribuoj sa më shumë për ekipin”, ka thënë fillimisht Prapashtica për Telegrafin.

Përmirësimi i Feronikelit ’74 nuk lidhet vetëm me paraqitjet individuale, pasi sulmuesi thekson se puna e përbashkët, përkushtimi dhe besimi brenda skuadrës kanë qenë faktorët kryesorë në rezultatet e fundit.

“Mendoj se arsyeja kryesore është puna e përbashkët që e kemi bërë me stafin, përkushtimi dhe besimi që kemi te njëri-tjetri. Kemi vazhduar të punojmë edhe në momentet e vështira dhe gradualisht po shihet përmirësimi në fushë. Rezultatet pozitive na japin më shumë motivim, por e dimë që duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe përqendrim”, është shprehur ai.

Sfida e radhës për Feronikelin ’74 është edhe një test i rëndësishëm, pasi përballet me Malishevën, skuadrën që kryeson tabelën. Prapashtica e vlerëson kundërshtarin, por beson se me angazhim dhe disiplinë, ekipi i tij mund të synojë rezultat pozitiv.

“Na pret një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari cilësor, i cili ndodhet në krye të tabelës. Megjithatë, ne do të hyjmë në fushë të përgatitur për të dhënë maksimumin. Objektivi ynë është të zhvillojmë një ndeshje të mirë dhe të marrim rezultat pozitiv. Mendoj se me angazhim dhe disiplinë mund t’ia dalim”, ka deklaruar sulmuesi.

Sa i përket objektivave personal, Prapashtica synon të jetë sa më vendimtar për skuadrën, duke kontribuar me gola e asistime, ndërsa në aspektin kolektiv kërkon që Feronikeli ’74 të vazhdojë të përmirësojë rezultatet dhe ta përfaqësojë klubin sa më mirë.

“Objektivi im personal është të jem sa më vendimtar për ekipin, të shënoj gola, të jap asistime dhe të vazhdoj të përmirësohem nga ndeshja në ndeshje. Sa i përket Feronikelit ’74, objektivi është të arrijmë rezultate sa më të mira dhe ta përfaqësojmë klubin në mënyrën më të mirë të mundshme. Dua që me punë dhe paraqitje të mira ta ndihmoj ekipin të arrijë objektivat e tij sezonal”, ka përfunduar Prapashtica.

Dy golat ndaj Dukagjinit mund të jenë një pikë kthese për sulmuesin anësor, i cili tashmë synon ta shndërrojë formën e mirë në vazhdimësi. Për Feronikelin ’74, ndërkaq, rezultatet e fundit janë një shtysë e rëndësishme në përpjekjen për t’u larguar nga fundi i tabelës dhe për ta vazhduar sezonin me më shumë siguri. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.