Alarm për bombë në një avion të kompanisë Ryanair, i cili po udhëtonte nga Mançesteri drejt Tiranës, ka shkaktuar panik mbrëmjen e së premtes.
Sipas Policisë së Shqipërisë, gjatë uljes së avionit në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, në tualetin e tij është gjetur një letër në gjuhën angleze, me mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Pas njoftimit, Policia ka ndërhyrë në pistë dhe ka mundësuar zbritjen e kontrolluar të të gjithë pasagjerëve.
Sipas TCH, Më pas, janë kontrolluar avioni, pasagjerët dhe bagazhet e tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë dhe skanerëve të aeroportit.
Gjatë kontrolleve nuk është gjetur asnjë send shpërthyes, ndërsa rasti është duke u hetuar nga strukturat e Antiterrorit, nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin e personit që ka shkruar mesazhin kërcënues.

