KORREKT / SOT30 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Alarm nga AUV: Tërhiqet nga tregu mishi i pulës nga Brazili, zbulohet bakteri Salmonella

Alarm nga AUV: Tërhiqet nga tregu mishi i pulës nga Brazili, zbulohet bakteri Salmonella

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar përkohësisht shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të disa produkteve të mishit të ngrirë të pulës, të importuara nga Brazili nga kompania Apetit SHPK, pasi në mostrat e analizuara është konstatuar prania e bakterit Salmonella Minnesota.

Sipas njoftimit të AUV-së, bakteria është identifikuar gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të cilat janë urdhëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.

Produktet për të cilat është marrë vendim për ndalimin e qarkullimit janë të dy markave:

Coopavel – LOT: R-14427, numri i aprovimit SIF 3887.

Superfrango – LOT: R20598, numri i aprovimit SIF 3404.

AUV ka bërë të ditur se Salmonella Minnesota është një bakter patogjen që mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Infeksioni mund të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar, por edhe përmes kontaminimit të kryqëzuar gjatë përgatitjes së mishit.

Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë produktet me numrat përkatës të LOT-it të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë në pikat e shitjes.

Ndërkohë, kontrollet po vazhdojnë për të verifikuar të gjithë sasinë e importuar, përfshirë shpërndarjen në pikat e shitjes, kushtet e ruajtjes dhe analizat shtesë laboratorike.

AUV ka bërë të ditur se do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe do ta informojë publikun për rezultatet e kontrolleve dhe veprimet e mëtejshme.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.