Aktorja Ann Jillian, e cila nga një yll fëmijë i Disney-t u shndërrua në një nga emrat më të dashur të komedive televizive të viteve ’80 – madje në ekran ka sjellë edhe betejën e saj personale me kancerin e gjirit – vendosi të largohej nga Hollywoodi në kulmin e karrierës për t’iu kushtuar plotësisht mëmësisë. Për arsyet e tërheqjes nga showbiz-i, ajo ka folur së fundmi në podcastin “Famous with Jacy Dawn Valeras”.
“Prej një kohe nuk jam pjesë e asaj bote dhe me arsye të fortë. E linda djalin tim të vetëm në moshën 42-vjeçare dhe këtë e mora jashtëzakonisht seriozisht”, u shpreh aktorja 76-vjeçare. Duke folur për balancimin e mëmësisë me karrierën, Jillian tha se e di që jo të gjithë e kanë të njëjtën mundësi apo mënyrë të të jetuarit.
“Ndoshta dikush tjetër mund ta bëjë, dhe i përgëzoj. Më vjen mirë nëse ia dalin. Por sa më takon mua, e di që nuk mundem. Më pëlqen të jem e përqendruar në atë që bëj, prandaj nuk mund të bëj shumë gjëra njëkohësisht”, shtoi ajo.
Foto: Profimedia
Aktorja e shpjegoi edhe më tej bindjen e saj: “Në jetën që Zoti më ka dhënë, mund të bëj çfarë të dua – por jo gjithçka në të njëjtën kohë. Në fund, nëse përpiqesh t’i bësh të gjitha njëherësh, diçka do të vuajë sepse vëmendja të ndahet”. Jillian theksoi gjithashtu se në moshën 42-vjeçare e kuptonte se djali i saj “me shumë gjasë do të ishte i vetmi fëmijë”.
Karrierën e nisi si yll fëmijë, ndërsa emrin artistik ia vendosi vetë Walt Disney përpara rolit të saj në filmin “Babes in Toyland” (1961). Vetëm një vit më pas, u shfaq në filmin “Gypsy” përkrah Natalie Wood dhe Rosalind Russell.
Ajo e kaloi me sukses tranzicionin në role të rritura dhe nga viti 1980 deri më 1986 luajti në serialin e njohur televiziv “It’s a Living”. Në vitin 1985, në moshën 35-vjeçare, asaj iu diagnostikua kancer i gjirit, me të cilin u përball dhe e mposhti. Për rolin në filmin televiziv “The Ann Jillian Story”, ku portretizoi betejën e saj me sëmundjen, ajo fitoi Golden Globe në vitin 1989.
– YouTube youtu.be
Në vitin 1992, Jillian u bë nënë e djalit të saj Andrew Joseph Murcia. Në podcast ajo tha se nuk pendohet aspak që e vuri mëmësinë mbi gjithçka.
“Mendova se kisha pasur një karrierë të shkëlqyer. U largova nga industria pas lindjes së djalit. Duhej të isha aty për ta vënë në gjumë. Pastaj ai duhej të zinte rrënjë, të niste shkollën. I mendoja këto gjëra”, rrëfeu ajo.
“Nuk doja të isha mijëra kilometra larg nëse ai lëndohej. Nuk doja të isha larg kur donte të fliste për diçka të tmerrshme apo diçka të mrekullueshme që i kishte ndodhur në shkollë”, shpjegoi Jillian.
Foto: Profimedia
Ajo tha se dëshironte të ishte e pranishme edhe në momente të rëndësishme si marrja e kungimit të parë, pa qenë diku “para kamerave”, ndërsa përmbledhja e vendimit të saj ishte e drejtpërdrejtë: “Në thelb, ‘i vara këpucët e vallëzimit në gozhdë’ dhe thashë: ‘Jo, ky është roli më i rëndësishëm që duhet të luaj tani – të jem nënë’”.
Aktorja pranoi se mund të ketë bërë edhe gabime gjatë rrugës, por theksoi se ka mësuar shumë. “Me bashkëshortin, me ndihmën e Zotit, patëm privilegjin të sillnim në jetë një fëmijë dhe të rrisnim një të ri që sot është avokat ndërkombëtar i taksave”, tha ajo, duke shtuar me krenari se djali i saj është i zgjuar, me humor dhe se “mund të ishte edhe aktor”.
Dhe në fund, Jillian e mbylli me një reflektim të qartë: koha larg Hollywoodit, për të, ishte një zgjedhje që nuk do ta ndërronte “me asgjë në botë”. /Telegrafi/