Një rrjet kanalesh në YouTube ka grumbulluar miliona shikime duke përdorur aktorë të paguar për të lexuar skenarë politikë të krijuar ose të përpunuar me Al.
Një hetim i medias amerikane “Semafor” zbuloi se videot paraqiteshin si raportime të pavarura nga qytetarë të zakonshëm, por ndiqnin të njëjtën formulë dhe përmbanin tituj të ekzagjeruar, pretendime mashtruese dhe informacione të rreme.
Përmbajtja godiste kryesisht politikanët demokratë, mes të cilëve kryetarin e New Yorkut, Zohran Mamdani, guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe guvernatorin e Illinoisit, JB Pritzker.
Sipas organizatës “Riddance AI”, rreth 12 kanale të lidhura mes tyre kanë siguruar mbi 45 milionë shikime dhe më shumë se 90 mijë komente në YouTube, krahas miliona shfaqjeve në TikTok.
Videot përdornin njerëz realë në vend të prezantuesve virtualë, duke e bërë më të vështirë identifikimin e përmbajtjes si produkt i Al.
Personazhe të paraqitura si “William” dhe “Omar” rezultuan të ishin aktorë dhe zëdhënës me pagesë, të cilët lexonin skenarë të ngjashëm para kamerës.
Njëri prej tyre konfirmoi se paguhej për realizimin e videove, por deklaroi se nuk e dinte identitetin e financuesit, pasi komunikonte nëpërmjet një ndërmjetësi.
Njoftimet për punë të kompanisë “Virelox” kërkonin prezantues që të regjistronin me shpejtësi materiale të stilit të lajmeve, ndërsa në një rast ofrohej një pagesë prej 26 dollarësh për video.
Pas rrjetit qëndronte një model i ashtuquajtur “krijues fantazmë”, ku Al, aktorët e lirë dhe prodhimi me kosto të ulët përdoreshin për të publikuar sasi të mëdha videosh.
Themeluesi i “Virelox”, Caleb Chan, kishte deklaruar në rrjetet sociale se rrjeti i tij përfshinte më shumë se 500 “krijues fantazmë” dhe gjeneronte miliarda shikime çdo muaj.
Ai pretendonte gjithashtu se publikimi i së njëjtës etiketë nga 26 llogari brenda dhjetë minutash mund ta bënte algoritmin e YouTube ta trajtonte përmbajtjen si “lajm të fundit” dhe ta promovonte atë.
“Virelox” mohoi se prodhonte materiale për fushata politike, komitete financimi ose organizata ideologjike dhe deklaroi se nuk përdorte prezantues sintetikë apo robotë automatikë.