Nga: Naomi Schaefer Riley, studiuese e lartë në organizatën American Enterprise Institute / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com
Pse mjekët ndonjëherë bëjnë test për drogë në një grua shtatzënë ose te foshnja e porsalindur?
Dikush mund të mendojë se kjo bëhet sepse nëna nën ndikimin e drogave mund ta ketë të vështirë të kujdeset për foshnjën, ose për shkak të komplikimeve të mundshme shëndetësore për një foshnjë që është ekspozuar ndaj drogave ose alkoolit.
Jo, thotë avokatja aktiviste Miriam Mack: Kjo ndodh sepse testimi për droga “është kaq efektiv në arritjen e asaj që ky vend ka synuar gjithmonë, që është ruajtja e një hierarkie shoqërore [dhe] e supremacisë së bardhë”.
Mack, këshilltare e lartë ligjore në Lëvizjen për Fuqizimin e Familjes [Movement for Family Power], e bëri këtë pohim muajin e kaluar në [raportin] “Nga salla e lindjes në sallën e gjyqit: Vlerësimi dhe kundërshtimi i provave të testeve për droga”, një uebinar [seminar në internet] për avokatë dhe profesionistë të mjekësisë.
Në të ajo gjykoi sistemin tonë aktual të mirëqenies së fëmijëve (ose sistemin e “ndarjes së familjeve”, siç e quajti ajo) si ekuivalentin modern të “skllavërisë së njerëzve si pronë”, shkollave me konvikt për indianët dhe trenave të jetimëve.
“Eugjenika … vazhdon të përcaktojë se cilët njerëz Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të denjë për autonomi riprodhuese, dinjitet, krijimin e familjes dhe integritetin familjar”, deklaroi ajo.
Ideologjia radikale konspirative e Mackut është mjaft e keqe.
Edhe më keq është se kjo është dëshmi se aktivistët vazhdojnë të shtyjnë idenë se përdorimi i drogave gjatë shtatzënisë është çështje e vogël që duhet t’u fshihet autoriteteve shëndetësore dhe atyre të mirëqenies së fëmijëve.
Ndër këta aktivistë janë Qendra Përlmater për Drejtësi Ligjore [Pearlmutter Center for Legal Justice] në Shkollën Juridike Kardozo [Cardozo Law School] dhe Aleanca për Politikën e Drogave [Drug Policy Alliance] e financuar nga George Sorosi – sponsorë të uebinarit.
Ndër ata që folën ishte Mishka Terplin nga grupi Veprimi i Drejt që nga Lindja [Doing Right by Birth], e cila u ankua për rezultatet e rreme pozitive – të përhapura gjerësisht – të testeve për droga (për shkak të ngrënies së një bageli me fara lulekuqeje ose të një epidurali të administruar gjatë lindjes), të cilat, sipas saj, çojnë rregullisht në largimin e një të porsalinduri nga kujdesi i nënës.
Harroje këtu përdorimin e testeve dytësore për të konfirmuar saktësinë e një testi depistues.
Për më tepër, është i sajuar pretendimi i saj se shtetet i largojnë automatikisht fëmijët dhe i vendosin në kujdestari sociale pas një rezultati pozitiv në testin për drogë.
Një rezultat pozitiv i konfirmuar ka më shumë gjasa të çojë në përfshirjen e nënës në trajtim për varësinë, së bashku me kontrolle të rregullta nga shërbimet e mirëqenies së fëmijëve.
Terplin argumentoi se regjimi ynë aktual i testimit të nënave për drogë është rezultat i panikut rreth “foshnjave të nënave që kanë përdorur drogë” – një “mit racist”, siç pretendoi ajo.
Ajo tha se shqetësimet për përdorimin e drogave nga nënat arritën kulmin në vitin 2003, kur ligji federal kërkoi për herë të parë që ofruesit e kujdesit shëndetësor të njoftonin autoritetet nëse një foshnjë lindte me shenja të ekspozimit prenatal ndaj drogave.
Por, ajo anashkaloi faktin se ky shqetësim u rrit për shkak të epidemisë së opioideve – e cila në vitin 2003 po prekte kryesisht familjet e bardha.
Në të vërtetë, një hetim i Reuters-it atë vit nxori në pah 110 raste ku “foshnja dhe fëmijë të vegjël, nënat e të cilëve kishin përdorur opioide gjatë shtatzënisë … më vonë vdiqën nga vdekja që mund të ishte parandaluar” – dhe të gjithë fëmijët e paraqitur në artikull ishin të bardhë.
Secili fëmijë “u përmirësua mjaftueshëm sa të dilte nga spitali”, vinte në dukje raporti.
“Ajo që vulosi fatin e tyre ishte dërgimi në shtëpi te familjet e papërgatitura për kujdes të tyre”.
Sot vlerësohet se çdo vit lindin 500 mijë foshnja të ekspozuara ndaj substancave.
Të gjitha ato foshnja kanë gjasa dukshëm më të larta për të përjetuar abuzim, neglizhencë dhe vdekje pasi dërgohen në shtëpi.
Por, kjo, sipas aktivistëve, nuk ka rëndësi: vetëm racizmi mund të jetë shkaku që qëndron pas testeve për droga te foshnjat.
Dhe, veprimtaria e tyre lobuese prapa skenave i ka shtyrë spitalet dhe shtetet ta dobësojnë këtë kërkesë thelbësore për sigurinë e fëmijëve.
Spitali i Bostonit [Mass General Brigham Hospital] i ka dekurajuar profesionistët e mjekësisë që t’i raportojnë nënat, me rezultat pozitiv në test, te agjencia shtetërore e mirëqenies së fëmijëve.
Në vitin 2020, Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Nju-Jorkut nisi një hetim për të përcaktuar nëse spitalet private po shënjestronin nënat shtatzëna dhe të porsalindurit me ngjyrë dhe hispanikë për testim për drogë; pak më vonë, spitalet publike të qytetit i bënë këto kontrolle në mënyrë vullnetare.
Në Nju-Meksiko, një ligj i vitit 2019 bëri që nënat të dërgoheshin rregullisht në shtëpi me të porsalindur të ekspozuar ndaj substancave – pa asnjë ndërhyrje tjetër përveç një “plani vullnetar për kujdes të sigurt”; gjatë dy viteve pasuese, një foshnjë në muaj vdiq si pasojë e helmimeve aksidentale, vdekjeve të lidhura me gjumin e pasigurt ose formave të tjera të abuzimit dhe neglizhencës.
Është e habitshme se sa shpejt përkrahësit e legalizimit, të financuar prej grupeve si Aleanca për Politikën e Drogave, kaluan nga argumenti se droga është zgjedhje legjitime për të rriturit që nuk e dëmton askënd tjetër – te lufta për të drejtën e një gruaje shtatzënë që të abuzojë lirisht me drogë, pa asnjë shqetësim për gjendjen e foshnjës së saj.
Por, muajt e fundit, guvernatorja progresiste e Nju-Meksikos, e cila e nënshkroi në ligj politikën e butë të shtetit, ka shprehur keqardhje.
“Ne po i dërgonim në shtëpi – pasi ishin mjaftueshëm mirë për të shkuar atje – foshnjat nën kujdesin e prindërve me varësi të rëndë nga droga, të cilëve nuk u kërkohej të merrnin asnjë shërbim apo të trajtoheshin për varësinë e tyre”, tha guvernatorja Michelle Lujan Grisham në shkurt.
“Tani, unë nuk e di nëse ka ndonjë recetë më të sigurt për katastrofë në Amerikë sesa kjo”. /Telegrafi/