Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, me inicialet M.K., Z.Z., M.K. dhe V.K., nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se deri më 5 qershor 2026, në Gjakovë, në bashkëkryerje dhe me qëllim të shitjes, kanë poseduar dhe shpërndarë lloje të ndryshme të narkotikëve, të cilat ua kanë shitur personave të ndryshëm.
Prokuroria njofton se shitjet janë dokumentuar përmes masave të fshehta të hetimit, përfshirë edhe blerjet e simuluara.
Gjatë kontrollit dhe bastisjes së shtëpive të të pandehurve, janë gjetur dhe sekuestruar 270.45 gramë kokainë, 146.79 gramë heroinë të përzier me paracetamol dhe kafeinë, si dhe 10.97 gramë marihuanë.
Sipas Prokurorisë, substancat narkotike ishin të ndara dhe të paketuara në qese najloni, të gatshme për shitje.
Përveç veprës penale që lidhet me narkotikët, i pandehuri i parë, me inicialet M.K., akuzohet edhe për mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë.

