Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet N.H., për tri vepra penale, ndërsa ndaj I.B. është ngritur aktakuzë për posedim të paautorizuar të armëve.
N.H. akuzohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarja e parave” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2021–2023, N.H., në cilësinë e zyrtarit në Ministrinë e Mjedisit, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që operatorëve ekonomikë të caktuar, të angazhuar në ambalazhimin e ujit, t’u mundësonte përfitime të kundërligjshme.
Prokuroria pretendon se veprimet e tij i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 15 milionë e 752 mijë e 486 euro e 7 centë.
Sipas aktakuzës, N.H. nuk i ka dërguar të gjithë operatorët ekonomikë për vlerësim te Grupi Punues Ministror. Pas pranimit të raportit të këtij grupi, ai dyshohet se i ka ndarë operatorët në tri grupe, duke u mundësuar që detyrimet financiare të përcaktoheshin në bazë të raportimeve të tyre të paverifikuara.
Gjithashtu, Prokuroria pretendon se i pandehuri nuk i ka zbatuar vlerësimet e Grupit Punues gjatë përcaktimit të borxheve të operatorëve ekonomikë, duke ua zvogëluar detyrimet financiare për shfrytëzimin e ujit.
Ndërkaq, ndaj të pandehurit I.B. është ngritur aktakuzë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Telegrafi/