Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se pas aksidentit të trafikut të ndodhur sot në fshatin Dollc, në këtë institucion shëndetësor janë pranuar për trajtim katër persona të lënduar.
Sipas njoftimit të publikuar nga spitali, pas ofrimit të trajtimit mjekësor, një person është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një tjetër po vazhdon trajtimin në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ndërsa dy persona janë liruar për në shtëpi në gjendje stabile.
“Në spitalin tonë janë pranuar 4 persona të lënduar… 1 person është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), 1 person po vazhdon trajtimin në spitalin tonë, ndërsa 2 persona, pas trajtimit, janë liruar për në shtëpi në gjendje stabile”, thuhet në njoftim.
Spitali ka bërë të ditur gjithashtu se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente, një person tjetër ka humbur jetën si pasojë e aksidentit, por nuk është sjellë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
“Sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente, një person tjetër ka humbur jetën si pasojë e aksidentit, por nuk është sjellë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë”, thuhet në njoftim.
Në fund, Spitali i Pejës ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e viktimës.
“Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes dhe të afërmve të viktimës”, thuhet në reagim. /Telegrafi/