Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj N.S., i dyshuar për shkaktimin e një aksidenti trafiku me pasoja fatale në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri akuzohet për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, nga neni 371, paragrafi 4 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti ka ndodhur më 23 korrik 2026, kur N.S. ishte duke drejtuar automjetin pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit.
Sipas aktakuzës, derisa ishte duke lëvizur në krahun dhe shiritin e kundërt të rrugës, ai ka goditur një automjet që ishte duke qarkulluar në drejtimin e rregullt.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën pasagjerja M.V., ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
Nga aksidenti janë shkaktuar edhe dëme materiale në automjete dhe në mbrojtëset e rrugës.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që i pandehuri të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit. /Telegrafi/