Një aksident trafiku ka ndodhur të mërkurën paradite në fshatin Reqan të Prizrenit, në rrugën Prizren–Prevallë, ku janë përfshirë dy automjete.
Lajmin për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, aksidenti është raportuar rreth orës 09:40, ndërsa si pasojë janë shkaktuar dëme materiale dhe të paktën një person ka pësuar lëndime trupore.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti.
“Aksident trafiku në fshatin Reqan të Prizrenit.Më datën 14.10.2026, rreth orës 09:40, është raportuar një aksident trafiku në mes të dy automjeteve, në fshatin Reqan të Prizrenit, në rrugën Prizren–Prevallë. Si pasojë e aksidentit, janë shkaktuar dëme materiale dhe së paku një person ka pësuar lëndime trupore. Policia ka dalë në vendngjarje dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave dhe shkaqeve që kanë çuar deri te aksidenti”.

