Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në Mynih të Gjermanisë, ku dy vagonë të një treni mallrash kanë rënë nga një mbikalim hekurudhor pas një përplasjeje gjatë manovrimeve.
Sipas informacioneve paraprake, dy trena mallrash janë përplasur për arsye ende të paqarta, duke shkaktuar daljen nga shinat dhe rënien e dy vagonëve nga mbikalimi. Një person ka pësuar lëndime të rënda, të cilat konsiderohen të rrezikshme për jetën.
Policia gjermane ka bërë të ditur se treni nga i cili ranë vagonët nuk kishte ngarkesë, ndaj nuk ka pasur rrezik për banorët përreth apo për ndonjë rrjedhje të materialeve të rrezikshme.
– YouTube www.youtube.com
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë forcat e policisë federale dhe lokale, zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës. Për operacionin e sigurisë dhe hetimeve është përdorur edhe një dron.
Shkaqet e aksidentit ende nuk janë përcaktuar. Autoritetet kanë angazhuar një ekspert gjyqësor për të analizuar rrethanat dhe për të zbuluar se çfarë shkaktoi përplasjen.
Rruga Schleisheime në Mynih është mbyllur në të dyja drejtimet, ndërsa policia ka paralajmëruar se largimi i vagonëve të dëmtuar dhe pastrimi i zonës mund të zgjasë deri ditën e nesërme.
Sipas kompanisë gjermane të hekurudhave, aksidenti nuk pritet të ndikojë në transportin e trenave të pasagjerëve, pasi segmenti i prekur përdoret vetëm për qarkullimin e trenave të mallrave. /Telegrafi/
