Akrobatja shqiptare Fiona Rushiti ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm, duke hyrë në librin e rekordeve botërore Guinness, pas një performance të veçantë akrobatike.
Rushiti ka arritur të realizojë 72 rrotullime të plota prej 360 gradësh brenda vetëm 30 sekondave, ndërsa qëndronte e varur vetëm nga dhëmbët.
Rekordi është realizuar më 11 qershor 2026 në Tiranë dhe është konfirmuar nga Guinness World Records, shkruan Telegrafi.
Me këtë rezultat, shqiptarja ka tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 65 rrotullimesh, duke vendosur një standard të ri në këtë disiplinë akrobatike.
Performanca e saj kërkon përgatitje të jashtëzakonshme fizike, forcë dhe kontroll të trupit, ndërsa Rushiti ka arritur këtë rezultat pas një periudhe të gjatë stërvitjeje.
Ajo kishte tërhequr vëmendje edhe më herët me performancat e saj, përfshirë një shfaqje akrobatike në lartësi prej rreth 450 metrash mbi detin Jon, në zonën e Himarës.
Arritja e Fiona Rushitit përbën një tjetër sukses të një artisteje shqiptare në arenën ndërkombëtare./Telegrafi/

