Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka përditësuar rregullat e saj duke sqaruar se vetëm aktrimi dhe skenari të realizuar nga njerëzit do të konsiderohen të pranueshme për çmimet Oscar.
Vendimi vjen në një kohë kur përdorimi i inteligjencës artificiale në industrinë e filmit është rritur ndjeshëm dhe ka nxitur debat të gjerë në Hollywood.
Sipas Akademisë, ndryshimi është “thelbësor” dhe synon të ruajë autorësinë njerëzore në qendër të krijimtarisë filmike, shkruan BBC.
Në rregullat e reja thuhet qartë se aktrimi duhet të jetë “i interpretuar nga njerëzit”, ndërsa skenari “i shkruar nga njerëzit” për të qenë i pranueshëm për nominim.
Megjithatë, përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale nuk është ndaluar plotësisht.
Akademia ka bërë të ditur se përdorimi i AI-së në prodhimin e filmave nuk do të ndikojë drejtpërdrejt në shanset për nominim, por vlerësimi do të bazohet në atë se sa e madhe ka qenë përfshirja njerëzore në procesin krijues.
Ky vendim vjen mes diskutimeve të vazhdueshme në industrinë e filmit për rolin e teknologjisë, pas rasteve të përdorimit të AI-së për rikrijim aktorësh dhe ndihmë në shkrimin e skenarëve. /Telegrafi/