Mesfushori i Arsenalit, Declan Rice, e ka mbështetur bashkëkombësin e tij, Harry Kane, për ta fituar Topin e Artë të këtij viti, pas duelit spektakolar mes tyre në Ligën e Kampionëve, që përfundoi me barazim në “Allianz Arena”.
Të dy yjet e Anglisë shënuan nga një gol të mërkurën mbrëma, në një ndeshje ku kampionët e Ligës Premier reaguan në fund për të marrë një pikë ndaj Bayern Munichut.
Pas përballjes në Gjermani, Rice e cilësoi Kane si kandidatin kryesor për çmimin më prestigjioz individual në futboll.
Kapiteni i Anglisë shihet si njëri prej favoritëve, pasi sezonin e kaluar shënoi plot 61 gola në 51 paraqitje me klubin, ndërsa udhëhoqi kombëtaren e tij deri në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në Amerikën e Veriut.
Duke u takuar me kapitenin e tij të kombëtares në zonën e intervistave pas ndeshjes, Rice i tha gazetares së TNT Sports, Jules Breach se Kane është fituesi i qartë i Topit të Artë.
“Për mua, ai është fituesi i qartë. Mendoj se statistikat e tij flasin vetë. Sezoni që ka pasur ka qenë i jashtëzakonshëm”.
“Natyrisht, ai garon me disa lojtarë të klasit botëror. Kur luan me të, e kupton sa i mirë është, ndërsa kur luan kundër tij, e sheh se sa i vështirë është për t’u përballuar”, deklaroi Rice.
Arsenali arriti ta shpëtonte një pikë, kur Rice kombinoi me zëvendësuesin Viktor Gyokeres dhe realizoi me një goditje të ulët në këndin e poshtëm të portës.
Megjithatë, në minutat e fundit, Manuel Neuer bëri një pritje spektakolare për t’ia mohuar Jurrien Timberit golin e fitores./Telegrafi/

