KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ahmeti kritikon politikat ekonomike të Qeverisë: Po blejnë qetësi sociale afatshkurtër dhe po e thellojnë inflacionin

Ahmeti kritikon politikat ekonomike të Qeverisë: Po blejnë qetësi sociale afatshkurtër dhe po e thellojnë inflacionin

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar se rritja e pagave, shtesave për fëmijë dhe pensioneve nuk po shoqërohet me masa të mjaftueshme për zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e prodhimit vendor.

Në një postim në Facebook, Ahmeti ka ngritur shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe vështirësitë e qytetarëve për ta përballuar koston e jetesës. Ai ka theksuar se Kosova po përballet me një nivel të lartë të inflacionit, pavarësisht se përdor euron si valutë.

Sipas Ahmetit, një pjesë e inflacionit vjen nga tregjet ndërkombëtare, por një pjesë tjetër lidhet me politikat e gabuara shtetërore dhe mungesën e investimeve në prodhimin vendor.

Ai ka argumentuar se rritja e çmimeve ndikon edhe në rritjen e të hyrave të shtetit përmes TVSH-së, ndërsa qytetarët detyrohen të shfrytëzojnë kursimet e tyre për të përballuar shpenzimet mujore.

Ahmeti ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, po shpërndahen paratë publike, duke thënë se ndihmat, shtesat dhe rritjet e pagave po orientohen kryesisht drejt konsumit dhe importeve, pa u shoqëruar me rritje të prodhimit vendor.

Ai ka paralajmëruar se kjo qasje mund ta thellojë deficitin tregtar, të dobësojë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe të vazhdojë presionin mbi çmimet.

“Me thënë shkurt e shqip, ky buxhet dhe këto politika po blejnë qetësi sociale afatshkurte. Po subvencionojmë importe dhe po i ngrisim çmimet. Nuk po krijojmë kapital dhe pasuri të re brenda shtetit”, ka shkruar Ahmeti.

Ish-kryetari i Prishtinës ka kritikuar edhe mungesën e investimeve kapitale në prodhim dhe infrastrukturë, duke theksuar se, meqë Kosova përdor euron, nuk ka në dispozicion instrumentet e politikës monetare, siç është përcaktimi i normave të interesit.

Në fund, Ahmeti i është drejtuar kryeministrit, duke vënë në pikëpyetje këshillat ekonomike që po merr ai dhe duke paralajmëruar se politikat aktuale mund të kenë pasoja të rënda në afatgjatë.

Sipas tij, Kosovës nuk i mjafton vetëm rishpërndarja e mjeteve publike, por i duhet krijimi i vlerës së re përmes prodhimit, investimeve dhe zhvillimit ekonomik. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.