Komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë disa mbledhje sot, ku në agjendë janë shqyrtimi i raporteve të auditimit, marrëveshjet e kredive për sektorin e shëndetësisë, buxheti për vitin 2027 dhe çështje të tjera.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të shqyrtojë raportet e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Ekonomisë, KOSTT-it dhe Korporatës Energjetike të Kosovës, për vitin 2025.
Në këtë mbledhje, e cila është paraparë të nisë në orën 10:00, është ftuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për raportin e ministrisë që udhëheq, ndërsa për raportet e KOSTT-it dhe KEK-ut janë ftuar kryeshefat ekzekutivë dhe kryesuesit e bordeve të këtyre ndërmarrjeve, raporton IndeksOnline.
Ndërkaq, Komisioni për Buxhet do të shqyrtojë dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredive që lidhen me investimet në sektorin e shëndetësisë.
Bëhet fjalë për marrëveshjen e kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar”, si dhe marrëveshjen me Bankën Evropiane të Investimeve për projektin e përmirësimit të pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës.
Në agjendën e këtij komisioni, që do të mblidhet në orën 11:00, është edhe shqyrtimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për sistemin e sigurimit të depozitave për institucionet financiare në Kosovë, raporti vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, si dhe raporti i shpenzimeve të Kuvendit për nëntëmujorin e vitit 2026.
Në të njëjtën ditë, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë do të shqyrtojë Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, sipas fushëveprimit të tij.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ndërkaq, do të zhvillojë takim me një eksperte të propozuar nga Instituti Nacional Demokratik (NDI), ku do të diskutohen çështjet që lidhen me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore.
Ky komision do të mblidhet në orën 09:00.
Po ashtu, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim do të shqyrtojë gjendjen e zbatimit të legjislacionit që garanton të drejtat e komuniteteve në Kosovë.
Ky komision ka paraparë edhe një takim me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, i cili do të zhvillohet në orën 12:30.

