Afrimi i mëtejshëm i Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian do t’i mundësonte Londrës të kishte zë në vendimmarrjen e Brukselit, ka deklaruar sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, në një kohë kur qeveria po përballet me presion për të thelluar marrëdhëniet me BE-në, pas marrëveshjes së arritur të premten.
Megjithatë, pas samitit në Bruksel, ende nuk ka një afat kohor për integrimin e mëtejshëm të Britanisë me BE-në, përfshirë mundësinë e hapjes së diskutimeve për rikthimin e saj në bllok.
Kryetari i bashkisë së Mançesterit, Andy Burnham, ka thënë se do të nisë diskutimet për të shqyrtuar mundësitë e ardhshme të bashkëpunimit mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, deputetja laburiste Emily Thornberry, e cila drejton Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik, ka deklaruar se Burnham duhet të shtyjë përpara idenë e rikthimit të Britanisë në BE.
“Problemi me të qenit jashtë bllokut është se përfundojmë në një gjendje të përhershme negociatash, sepse gjithmonë duhet të përpiqemi të përshtatemi me rregullat, në vend që të kemi një vend në tryezën ku merren vendimet. Prandaj, mendoj se duhet thjesht të rikthehemi në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ajo në një artikull për Sunday Mirror.
Duke folur për BBC-në, Miliband nuk pranoi të tregonte nëse tashmë mbështet hapjen e diskutimeve për rikthimin e mundshëm të Britanisë në BE, por tha se marrëveshja e së premtes dëshmon përfitimet që sjell afrimi me bllokun evropian.
Marrëveshja përfshin bashkëpunimin në fushën e ushqimit dhe pijeve, tregtimin e emetimeve dhe një skemë të përbashkët të lëvizjes së të rinjve.
Sipas Milibandit, një bashkëpunim më i ngushtë do t'i mundësonte Britanisë të kishte ndikim në hartimin e rregullave të BE-së, të cilat bizneset britanike duhet t'i zbatojnë gjithsesi për të tregtuar në tregun evropian.
“Aktualisht, ne në thelb jemi ata që vetëm i zbatojmë rregullat. Bizneset duhet t'u përmbahen rregullave të Bashkimit Evropian nëse duan të shesin në tregun evropian, por, në të njëjtën kohë, meqë nuk jemi të integruar në atë treg për produktet ushqimore dhe bujqësore, atyre u duhet të plotësojnë edhe një numër të madh formularësh”, ka thënë ai.
Miliband e cilësoi këtë situatë si më të pafavorshmen për Britaninë, duke argumentuar se ekziston një arsye e qartë për integrim më të ngushtë në tregjet e BE-së.
Ai përmendi gjithashtu ndryshimet e mëdha gjeopolitike që nga viti 2016, kur Britania votoi për largimin nga Bashkimi Evropian, duke veçuar pushtimin e plotë rus të Ukrainës dhe largimin e Shteteve të Bashkuara nga bashkëpunimi i afërt me Evropën nën udhëheqjen e Donald Trumpit.
“Unë nuk e kam mbështetur Brexit-in, siç e dini, por e kam pranuar rezultatin dhe mendoj se ishte e drejtë ta pranonim atë. Megjithatë, bota ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë që nga viti 2016 dhe ne nuk mund të qëndrojmë në vend”, ka deklaruar Miliband.
Ai ka theksuar se Britania duhet t'i shqyrtojë mundësitë për të ardhmen e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe se nuk mund të konsiderojë se status quo-ja është e mjaftueshme.
Në anën tjetër, zëvendëskryetari i Partisë Konservatore, Alex Burghart, ka kundërshtuar mundësinë e afrimit të mëtejshëm me BE-në, duke thënë se Britania duhet të përqendrohet në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Evropën.
Ai ka argumentuar se qytetarët britanikë nuk do të dëshironin rikthimin në Bashkimin Evropian.
I pyetur nëse konservatorët do ta anulonin marrëveshjen e arritur të premten, në rast se vijnë në pushtet, Burghart ka konfirmuar se do ta shfuqizonin atë.
“Po, ne do ta anulonim. Nuk mendoj se kjo marrëveshje do të sjellë rezultate të mira. Gjithashtu, nuk mendoj se është ide e mirë që një vend si Britania t'ia dorëzojë kontrollin e rregullave një fuqie tjetër, pa pasur asnjë ndikim në mënyrën se si ato hartohen në të ardhmen. Kjo është një ide e pamend”, ka deklaruar ai.

