Një fluturim i kompanisë ajrore “Swiss”, i cili udhëtonte nga Chicago drejtZürichut, është detyruar të kryejë një zbritje emergjente sot në mëngjes në arkipelagun e Azoreve në Oqeanin Atlantik, pas shfaqjes së një ere të rëndë në kabinë, njoftojnë mediat zvicerane.
Fluturimi LX9, i cili kishte në bord 222 pasagjerë dhe 16 anëtarë të ekuipazhit, ishte parashikuar të aterronte në Zürich pak para orës 11:00. Mirëpo, teksa gjendeshin mbi Oqeanin Atlantik, ekuipazhi lëshoi një sinjal emergjence për shkak të një ere të panjohur kimike që u ndje në klasën ekonomike. Për arsye sigurie, avioni i tipit “Boeing 777” devijoi menjëherë rrugëtimin dhe u ul rreth orës 08:30 në ishullin Terceira të Azoreve.
Pas aterrimit, pesë pasagjerë dhe një anëtar i ekuipazhit kërkuan kontroll mjekësor, pasi kishin shfaqur simptoma të përkohshme si ngacmim të syve, marramendje dhe dhimbje koke. Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë “Swiss”, asnjë nga personat e prekur nuk pasur nevojë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Për të tërhequr udhëtarët dhe ekuipazhin e mbetur në ishull, kompania ajrore ka organizuar një fluturim zëvendësues nga Zürichu. Mbërritja e tyre në Zvicër është parashikuar për sot në mbrëmje rreth orës 22:15. Shkaku i erës mbetet ende i paqartë. Ekspertët e kompanisë kanë nisur hetimet dhe po ekzaminojnë avionin në Terceira për të përcaktuar me saktësi origjinën e problemit.
