Një aeroplan transportues i kompanisë FedEx ka dalë nga pista gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit, në prag të festës së Falënderimeve, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të fluturimeve në një prej aeroporteve më të ngarkuara në SHBA.
Bëhet fjalë për një aeroplan të tipit McDonnell Douglas MD-11, i cili po kryente fluturimin 910 nga Memphisi. Incidenti ndodhi të mërkurën, rreth orës 20:40 sipas kohës lokale, gjatë reshjeve të shiut.
Aeroplani doli përtej fundit të pistës 26R dhe përfundoi në një hapësirë me bar, pranë një rrethimi që kufizon aeroportin me një rrugë të frekuentuar.
Sipas raportimeve, nga incidenti nuk pati persona të lënduar.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) pezulloi përkohësisht fluturimet drejt aeroportit të Miamit. Sipas anëtarit të Komisionit të Qarkut Miami-Dade, Roberto J. Gonzalez, të gjitha pistat, me përjashtim të njërës, u mbyllën përkohësisht.
Ngjarja shkaktoi vonesa dhe anulime të fluturimeve në natën para Ditës së Falënderimeve, një prej periudhave më të ngarkuara të udhëtimeve në Shtetet e Bashkuara.
Pasagjerët e prekur nga ndërprerjet u sistemuan në fluturime të tjera, shkruajnë mediat.
FAA dhe Bordi Kombëtar për Sigurinë në Transport (NTSB) kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit.
Ky është rasti i dytë brenda më pak se tre muajsh që një aeroplan transportues del nga pista në aeroportin e Miamit.
Në shtator, një aeroplan i kompanisë Amazon Air, i tipit Boeing 767, i cili po fluturonte nga San Juani i Porto Rikos, doli nga pista, kaloi një rrugë dhe u përplas me disa automjete, përpara se të përfshihej nga flakët.
Në atë aksident humbën jetën pesë persona që ndodheshin në tokë. /Telegrafi/

