Një gjykatës amerikan ka urdhëruar që shkrimtares E. Jean Carroll t’i paguhet dëmshpërblimi prej 5 milionë dollarësh, të cilin ia detyrohet presidenti amerikan, Donald Trump, pasi tre vjet më parë ai u shpall përgjegjës në një proces civil për abuzim seksual dhe shpifje.
Gjykatësi Lewis Kaplan urdhëroi sot që paratë, së bashku me interesat, të transferohen nga llogaria ku Trump i kishte depozituar pas vendimit gjyqësor. Me këtë vendim, janë shteruar mundësitë e tij për ta shtyrë pagesën, raporton BBC.
Një juri në New York, në maj të vitit 2023, i dha Carroll dëmshpërblim pas pretendimeve të saj se Trump e kishte sulmuar seksualisht në mesin e viteve ’90 në dhomën e zhveshjes së dyqanit luksoz Bergdorf Goodman në Manhattan.
Më pas, Trump në rrjetin e tij social Truth Social në vitin 2022 i quajti akuzat e saj “mashtrim”, gjë që juria e cilësoi si shpifje. Ish-presidenti gjatë gjithë kohës i ka mohuar akuzat.
Carroll, ish-kolumniste dhe sot 82-vjeçare, nuk ka marrë ndonjë koment nga avokatët e Trumpit lidhur me urdhrin e fundit.
Trump e kishte depozituar shumën e dëmshpërblimit në një llogari nën kontrollin e gjykatës menjëherë pas vendimit, ku paratë u mbajtën gjatë procesit të ankesës. Ekipi i tij ligjor kishte kërkuar shtyrjen e pagesës së shumës totale prej rreth 5.8 milionë dollarësh, me qëllim që t’i drejtohej Gjykatës Supreme për rishikimin e vendimit, por kërkesa u refuzua.
Gjykatësi Kaplan nuk ka bërë të ditur saktësisht se kur do të transferohen fondet te shkrimtarja.
Trump ka pretenduar vazhdimisht se gjykatësi Lewis Kaplan, i cili drejtoi procesin gjyqësor, kishte lejuar në mënyrë të papërshtatshme paraqitjen e provave që kishin ndikuar negativisht në perceptimin e jurisë.
Megjithatë, një gjykatë federale e apelit vitin e kaluar mbështeti vendimin e jurisë, duke konstatuar se Kaplan nuk kishte bërë gabime që do të justifikonin një gjykim të ri.
Trump gjithashtu apeloi vendimin e një jurie tjetër në vitin 2024. Në atë rast të veçantë, ai u shpall përgjegjës për shpifje ndaj Carroll dhe u urdhërua t’i paguante asaj afro 84 milionë dollarë dëmshpërblim. Një trup gjykues i gjykatës federale refuzoi edhe këtë ankesë vitin e kaluar. /Telegrafi/
