Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nuk ka sjellë ndonjë marrëveshje, përfshirë edhe çështjen e presidentit.
Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku tha se qëndrimet mes palëve mbeten ende larg njëra-tjetrës dhe se nuk sheh hapësirë për një marrëveshje pa ndryshuar pozicionet e partive politike.
“Në çështje të tjera, sa më shumë vonohemi, natyrisht që vonesa e bën marrëveshjen edhe më të vështirë. Nuk kam lajme të reja, por mund të ju them që jemi shumë, shumë larg ndonjë marrëveshjeje aktuale dhe nuk pres që kjo të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet e partive politike”, ka deklaruar Abdixhiku, përcjell Telegrafi.
Kreu i LDK-së ritheksoi se për partinë që drejton, balanca institucionale është kusht për çdo marrëveshje politike.
“Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe përderisa s’ka balancë institucionale, atëherë s’mund të ketë marrëveshje politike për të cilën po përpiqemi tash e sa kohë”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se ka bërë përpjekje me vullnet të mirë për të gjetur një zgjidhje, por paralajmëroi se afatet kushtetuese dhe politike po afrohen.
“Jam përpjekur me vullnet të mirë, po përpiqemi. Lehtë është me shkaktu zgjedhje të reja, por edhe i kemi disa afate të cilat s’mund t’i kapërcejmë, pasi këto do të na dërgojnë në zgjedhje të reja”, deklaroi ai.
Sipas Abdixhikut, synimi i LDK-së ka qenë arritja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe jo thellimi i përplasjeve politike.
“Qëllimi im dhe i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhja, pra jo të merremi kush kë po e mund, mashtron apo vonon. Por, në këtë pikë, me keqardhje të madhe, jemi në një rrugë që nuk sjell zgjidhje afatgjatë”, tha ai.
Duke folur për pikën kryesore të mospajtimeve, Abdixhiku konfirmoi se nuk është arritur dakordim për postin e presidentit.
“Është çështja e presidentit. LDK ka propozuar që emri i presidentit të vijë nga LDK-ja dhe natyrisht të diskutohet me partnerin, por s’kemi pasur marrëveshje”, përfundoi kreu i LDK-së.
Ai po ashtu tha se: “I kërkova që ta thërras seancën sonte, e të konstituohet kuvendi, kryesia, qeveria…duhet ta thërras seancën sonte. Në rrethanat e tanishme se besoj që ka arsye të ketë takime. Takimet kanë kuptimin kur ka gatishmëri për kompromise. Në momentin që pajtohemi që propozimi për President të vjen nga LDK, atëherë bashkë e propozojmë emrin për president”. /Telegrafi/
