Largimi i Emirateve të Bashkuara Arabe nga OPEC-u do të trondiste ndjeshëm konsorciumin e prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë. Madje, mund t’i japë një goditje fatale nëse OPEC nuk bën ndryshime të rëndësishme për të parandaluar largimin e vendeve të tjera.
Vitin e kaluar, OPEC realizoi shitje nafte me vlerë 455 miliardë dollarë, sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë. Emiratet e Bashkuara Arabe përfaqësonin 77 miliardë dollarë të kësaj shume – pak më pak se 17 për qind.
Fakti që OPEC po humb një prodhues kaq të madh (i dyti më i madh) mund të shtyjë edhe vende të tjera të mendojnë për të njëjtën gjë. OPEC tashmë po përjetonte përçarje, ndërsa trazirat në rajon nga lufta (përfshirë disa sulme ndaj infrastrukturës së tij nga anëtari i OPEC-ut, Irani) mund të jenë katalizatori që ta shpërbëjë grupin.
“Lidhjet që mbajnë bashkë anëtarët e OPEC-ut janë dobësuar”, tha David Oxley, kryeekonomist për klimën dhe mallrat në Capital Economics, raporton cnn.
Largimi nga OPEC do t’i jepte Emirateve të Bashkuara Arabe mundësinë të rrisin prodhimin e naftës, gjë që konsorciumi e kishte kufizuar. Kjo nuk do të kishte ndikim të menjëhershëm: kërkesa ka rënë ndjeshëm javët e fundit për shkak të rritjes së çmimeve, ndërsa kapacitetet e magazinimit janë të mbingarkuara pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, në afatgjatë, Emiratet mund të rrisin prodhimin deri në 1 milion fuçi nafte në ditë duke dalë nga OPEC-u, duke përmbushur rreth 1% të kërkesës globale ditore, tha Oxley. Kjo mund të inkurajojë edhe vende të tjera të largohen.
Në të ardhmen, shpërbërja e OPEC-ut mund të ulë çmimet globale të naftës, por gjithashtu mund të rrisë paqëndrueshmërinë e tyre, pasi konsorciumi nuk do të mund të veprojë më në mënyrë të koordinuar për të rritur ose ulur prodhimin. /Telegrafi/