Ish-kryetari i Degës së AAK-së në Junik, Agron Kuçi, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës, i paraparë të mbahet sot më 8 maj 2026, duke e arsyetuar vendimin me atë që e cilëson mungesë të procedurave të detyrueshme statutare.
Në një reagim publik, Kuçi ka thënë se është njoftuar dhe ftuar për të marrë pjesë në kuvendin zgjedhor, por ka theksuar se procesi, sipas tij, nuk është paraprirë nga kuvendet zgjedhore të nëndegëve dhe forumeve tjera që përbëjnë bazën organizative për mbajtjen e rregullt të kuvendit.
“E konsideroj të domosdoshme të njoftoj se ky proces zgjedhor nuk është paraprirë nga procedurat e detyrueshme statutare, përkatësisht nuk kanë zhvilluar dhe mbajtur asnjërin nga kuvendet zgjedhore të nëntë (9) nëndegëve, si dhe kuvendet e Aleancës së Gruas dhe Aleancës së të Rinjëve”, ka shkruar Kuçi.
Ai ka vlerësuar se mosrespektimi i këtyre procedurave “cenon parimet e legalitetit, përfaqësimit dhe procesit zgjedhor”, duke shtuar se delegatët e ftuar në këtë kuvend, sipas tij, nuk burojnë nga një proces i rregullt dhe legjitim.
“Në këto rrethana, konsideroj se delegatët e ftuar në këtë kuvend, përfshirë edhe mua, nuk burojnë nga një proces i rregullt dhe legjitim statutaro-zgjedhor”, ka theksuar ai.
Kuçi ka njoftuar se, “me keqardhje”, ka vendosur të mos marrë pjesë në kuvendin e nesërm, duke thënë se pjesëmarrja do të nënkuptonte legjitimim të një procesi që ai e konsideron të parregullt.
“Kam vendosur të mos marr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës për ditën e nesërme… pjesëmarrja në një proces që nuk është ndërtuar mbi bazën e rregullave statutare, do të nënkuptonte legjitimim të paligjshmërisë”, ka shkruar Kuçi.
Ai ka theksuar se vendimi i tij nuk buron nga kundërshtimi personal ndaj ndokujt, por nga bindja se proceset e brendshme duhet të jenë shembull i demokracisë, transparencës dhe respektimit të statutit.
“Ky vendim nuk buron nga kundërshtimi personal ndaj askujt, por nga bindja ime se… ne kemi për obligim moral dhe politik që proceset tona të brendshme të jenë shembull i demokracisë, transparencës, respektimit të statutit dhe vullnetit të anëtarësisë”, ka deklaruar ai.
Në fund, Kuçi ka vlerësuar se vetëm përmes respektimit të normave dhe proceseve të drejta demokratike, mund të ruhet besimi i qytetarëve dhe të forcohet AAK-ja si subjekt politik. /Telegrafi/