Raportimet për një përplasje të mundshme mes deputetëve, Përparim Grudës dhe Uran Ismailit brenda PDK-së, lidhur me Ligjin për Gjykatën Speciale dhe garën për drejtimin e partisë, kanë nxitur diskutime për raportet mes tyre brenda këtij subjekti politik.
Për këto zhvillime, në një prononcim për lajmi.net, ka folur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka deklaruar se nuk ka informacione për ndonjë përplasje personale mes dy bashkëpartiakëve.
Musliu ka theksuar se nuk dëshiron të komentojë pretendimet që po qarkullojnë në media pa pasur informacione konkrete për to.

“Nuk kam informacion për ndonjë përplasje personale mes Përparim Grudës dhe Uran Ismailit dhe nuk do të dëshiroja të komentoj mbi bazën e spekulimeve mediatike”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së ka theksuar se çështja e Gjykatës Speciale dhe mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së nuk duhet të përdoren për kalkulime politike apo gara të brendshme partiake.
“Mendoj se është e gabuar që një çështje kaq e rëndësishme, si Ligji për Gjykatën Speciale dhe mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së, të interpretohet përmes kalkulimeve për pozita apo gara të brendshme partiake”, u shpreh deputetja e PDK-së për lajmi.net
“PDK-ja ka nevojë për proces demokratik dhe vizion për të ardhmen”
Duke komentuar raportimet për rivalitet të mundshëm në garën për kryetar të PDK-së, Musliu ka thënë se kandidimi është e drejtë legjitime e secilit që i plotëson kushtet.
Sipas saj, gara duhet të jetë demokratike dhe të përqendrohet në vizionin për të ardhmen e partisë, pa krijuar ndarje mes anëtarëve.
“Sa i përket garës për kryetar të PDK-së, është legjitime që secili që i plotëson kushtet dhe e sheh veten të gatshëm për këtë përgjegjësi, të kandidojë. PDK-ja ka nevojë për një proces demokratik, garë të hapur dhe vizion për të ardhmen, jo për etiketime dhe ndarje në taborë”, theksoi Musliu.
Ajo ka shtuar se edhe nëse ekzistojnë mospajtime për çështje të caktuara politike, ato nuk duhet të interpretohen automatikisht si dëshmi e një konflikti personal mes kolegëve.
“Nuk e shoh të drejtë që mospajtimet eventuale për një çështje politike të kthehen automatikisht në dëshmi të rivalitetit personal mes dy kolegëve”, tha ajo.
Çfarë u tha më herët për raportet mes Grudës dhe Ismailit?
Raportimet për një përplasje të mundshme mes Përparim Grudës dhe Uran Ismailit kanë marrë vëmendje lidhur me zhvillimet rreth Ligjit për Gjykatën Speciale dhe diskutimeve për atë se kush do ta udhëheq PDK-në.
Për këtë çështje, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, në një prononcim për lajmi.net, kishte drejtuar akuza ndaj figurave të PDK-së, duke pretenduar se zhvillimet rreth Ligjit për Specialen ishin pjesë e lojërave të brendshme politike.
Haradinaj kishte pretenduar se Përparim Gruda ishte bërë “kurban” politik në këtë proces, ndërsa kishte përmendur edhe Uran Ismailin, duke e lidhur me zhvillimet e brendshme në parti.
Ndërkohë, edhe Shukri Buja nga PDK-ja kishte komentuar raportimet për tensione mes dy bashkëpartiakëve.
Buja kishte mohuar pretendimet për një përplasje mes Përparim Grudës dhe Uran Ismailit, si në lidhje me Ligjin për Gjykatën Speciale, ashtu edhe në kontekstin e garës për kryetar të ri të partisë.
“Së pari, nuk bëhet fjalë për një luftë mes dy personaliteteve, pasi një gjë e tillë nuk ekziston. Këtë e them me siguri të plotë, sepse Përparim Gruda është ende në fillimet e rrugëtimit të tij politik dhe nuk mund të pretendojë të ngjitet aq lart, sa të flitet publikisht për një garë mes tyre për të marrë drejtimin e partisë”, ka deklaruar Buja në Tëvë1.
Buja ka thënë se nuk do ta mbështesë asnjë individ në garën për kryetar të partisë, pasi, sipas tij, deri më tani askush nuk ka dëshmuar se i posedon të gjitha atributet e nevojshme për të udhëhequr PDK-në.
“Unë nuk do ta përkrah asnjë individ, pasi deri më tani nuk është paraqitur ndonjë figurë që i ka të gjitha atributet e nevojshme për të qenë lider i partisë. Këtë e them pasi duke filluar nga periudha e Kadri Veselit e deri më sot është treguar që individi duhet të jetë tepër i fuqishëm. Është e pamundur që me personalitetet që kemi aktualisht të kemi një individ që i posedon të gjitha cilësitë e kërkuara për një lider, madje këto atribute nuk i ka pasur as vetë Hashim Thaçi. Në kohën kur Hashim Thaçi ka udhëhequr PDK-në, ekzistonin Kryesia dhe Këshilli Drejtues, të përcaktuara me statut, të cilat konsultoheshin vazhdimisht. Kemi debatuar shumë ashpër deri në arritjen e një vendimi. Asnjëherë nuk ka ndodhur që mbledhjet të thirren një ditë më parë apo pa rend dite. Tash është krejt ndryshe dhe kjo nuk ka të bëjë me ndonjë luftë mes individëve, sepse përveç dy emrave që po përmenden sot, janë edhe rreth 50 të tjerë, të cilët janë më të fuqishëm se ata, si individë dhe si grupe që kanë pretendimet e tyre”, ka shtuar ai./Lajmi.net/

