Keratokonusi është një sëmundje e syrit që mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e shikimit, ndërsa diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm janë vendimtarë për të parandaluar përkeqësimin e saj.
Oftalmologia Rrona Gjini-Bytyqi, ka shpjeguar se kjo sëmundje nuk mund të shërohet plotësisht me metodën Corneal Cross-Linking (CXL), por përparimi i saj mund të ngadalësohet ose të ndalet.
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga Qendra laserike e syrit “Kubati” dhe United Hospital, Gjini-Bytyqi ka sqaruar se keratokonusi është një sëmundje që prek kornenë, pjesën e tejdukshme në sipërfaqen e përparme të syrit, duke shkaktuar hollimin dhe deformimin gradual të saj.
Si pasojë, kornea humbet formën e saj të zakonshme dhe fillon të marrë formë konike, gjë që ndikon në mënyrën se si fokusohet drita dhe shkakton probleme me shikimin.
Oftalmologia ka theksuar se një nga pyetjet më të shpeshta të pacientëve është nëse keratokonusi mund të shërohet plotësisht.
“Cross-Linking, fatkeqësisht, nuk është metodë shëruese, sepse keratokonusi nuk shërohet”, ka shpjeguar Gjini-Bytyqi.
Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se ekziston një trajtim që synon të ndalojë përparimin e sëmundjes dhe të ruajë gjendjen ekzistuese të kornesë.
Bëhet fjalë për metodën Corneal Cross-Linking (CXL), e cila përdoret për forcimin e strukturës së kornesë.
Përmes këtij trajtimi, synohet rritja e qëndrueshmërisë së kornesë, në mënyrë që të parandalohet deformimi i mëtejshëm i saj.
Sipas oftalmologes, qëllimi kryesor i procedurës nuk është domosdoshmërisht përmirësimi i menjëhershëm i shikimit, por stabilizimi i sëmundjes dhe parandalimi i përkeqësimit të saj.
Kjo do të thotë se pacientët që i nënshtrohen trajtimit mund të vazhdojnë të kenë nevojë për syze ose lente speciale të kontaktit për korrigjimin e shikimit.
Gjini-Bytyqi ka theksuar se diagnostikimi i hershëm është veçanërisht i rëndësishëm, pasi trajtimi mund të japë rezultate më të favorshme në ruajtjen e strukturës së kornesë përpara se sëmundja të arrijë në faza të avancuara.
Gjatë podcastit, ajo ka shpjeguar se procedura Cross-Linking zakonisht realizohet me anestezi lokale dhe zgjat rreth 20 deri në 30 minuta, varësisht nga protokolli i trajtimit.
Pas ndërhyrjes, pacientët duhet t’u përmbahen udhëzimeve të mjekut dhe të kryejnë kontrolle të rregullta për të vlerësuar gjendjen e kornesë.
Oftalmologia ka paralajmëruar se, nëse keratokonusi vazhdon të përparojë pa u trajtuar, mund të shkaktojë dëmtim të konsiderueshëm të shikimit, ndërsa në raste të avancuara mund të nevojiten trajtime më komplekse, përfshirë transplantimin e kornesë.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com

