KORREKT / SOT24 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Shëndet

A mund të bllokohet sërish stenti? Simptomat që paralajmërojnë se diçka nuk shkon

A mund të bllokohet sërish stenti? Simptomat që paralajmërojnë se diçka nuk shkon

Vendosja e stentit u shpëton jetën shumë pacientëve, veçanërisht në rastet e infarktit të miokardit. Megjithatë, fakti që ena e gjakut është hapur nuk nënkupton se rreziku është eliminuar përgjithmonë

Stenti është një rrjetë e vogël metalike që vendoset në arterien koronare të ngushtuar ose të bllokuar, për të mundësuar qarkullimin normal të gjakut drejt muskulit të zemrës.

Megjithëse konsiderohet një nga procedurat më të rëndësishme të kardiologjisë moderne, vendosja e stentit nuk e eliminon sëmundjen që ka shkaktuar ngushtimin e arteries.

Pse mund të bllokohet sërish stenti?

Ekzistojnë dy mekanizma kryesorë përmes të cilëve, edhe pas vendosjes së suksesshme të stentit, mund të shfaqen probleme me qarkullimin e gjakut.

E para është restenoza, përkatësisht ngushtimi i përsëritur i segmentit të arteries ku është vendosur stenti. Gjatë ndërhyrjes, baloni zgjeron enën e ngushtuar të gjakut, ndërsa rrjeta metalike ndihmon që ajo të mbetet e hapur.

Organizmi fillon procesin e shërimit, por te disa pacientë ndodh shumimi i tepërt i qelizave dhe formimi i indeve të reja brenda stentit. Me kalimin e kohës, këto inde mund ta ngushtojnë hapësirën nëpër të cilën qarkullon gjaku. Mund të zhvillohet edhe aterosklerozë e re brenda stentit, e njohur si neoaterosklerozë.

Problemi i dytë, më i rrallë, por potencialisht shumë më i rrezikshëm, është tromboza e stentit, përkatësisht formimi i një mpiksjeje gjaku, e cila mund të ndërpresë furnizimin e zemrës me gjak dhe të shkaktojë infarkt akut të miokardit.

Sipas Shoqatës për Angiografi dhe Ndërhyrje Kardiovaskulare (SCAI), diabeti, sëmundjet e veshkave dhe zgjerimi i pamjaftueshëm i stentit janë ndër faktorët që favorizojnë këto komplikime, përcjell Telegrafi.

A mund të bllokohet stenti edhe disa vite pas vendosjes?

Po. Komplikimet nuk kufizohen vetëm në javët apo muajt e parë pas ndërhyrjes. Bllokimi mund të ndodhë gjatë vetë procedurës, pas gjashtë muajsh, një viti apo edhe shumë vite më vonë. Megjithatë, te shumica e pacientëve kjo nuk ndodh.

Stentet moderne që çlirojnë barna kanë reduktuar ndjeshëm shpeshtësinë e ngushtimit të përsëritur, duke penguar formimin e tepërt të indeve brenda tyre.

Sipas ushëzimeve të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC), restenoza me rëndësi klinike mund të paraqitet deri në 10 për qind të pacientëve me stente që çlirojnë barna, gjatë dhjetë viteve të para. Kjo nuk nënkupton se çdo ngushtim shkakton infarkt apo kërkon ndërhyrje të re.

Cilat simptoma paralajmërojnë për probleme me stentin?

Kur arteria ngushtohet gradualisht, shqetësimet mund të ngjajnë me ato që pacienti ka pasur përpara vendosjes së stentit.

Simptomat më karakteristike janë:

  • Dhimbja, presioni ose shtrëngimi në kraharor;
  • Vështirësitë në frymëmarrje;
  • Lodhja e pazakontë gjatë aktivitetit fizik;
  • Dhimbja që përhapet drejt krahëve, qafës, nofullës ose shpinës;
  • Zvogëlimi i aftësisë për kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

Dhimbja e fortë ose e vazhdueshme në kraharor, veçanërisht kur shoqërohet me djersë të ftohta, të përziera, vështirësi në frymëmarrje apo humbje të vetëdijes, kërkon ndihmë urgjente mjekësore.

Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA) paralajmëron se infarkti nuk shoqërohet gjithmonë me dhimbje të forta. Simptomat mund të jenë më pak karakteristike, veçanërisht te personat me diabet dhe të moshuarit.

Pse marrja e barnave pas vendosjes së stentit është kaq e rëndësishme?

Një nga gabimet më të rrezikshme që mund të bëjë pacienti është ndërprerja me iniciativën e vet e terapisë antitrombocitare.

Pas vendosjes së stentit, pacientët zakonisht marrin kombinimin e dy barnave që pengojnë grumbullimin e trombociteve dhe formimin e mpiksjeve të gjakut. Bëhet fjalë kryesisht për aspirinën dhe një medikament tjetër antitrombocitar, si klopidogreli, tikagrelori ose prasugreli.

Sipas udhëzimeve të vitit 2025 të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë dhe Shoqatës Amerikane të Zemrës, pas sindromës akute koronare, terapia e dyfishtë antitrombocitare rekomandohet zakonisht për të paktën 12 muaj te pacientët pa rrezik të lartë për gjakderdhje.

Kohëzgjatja përcaktohet individualisht. Terapia nuk duhet të ndërpritet pa konsultim me kardiologun, edhe kur pacienti ndihet plotësisht mirë.

Çfarë ndodh nëse stenti ngushtohet përsëri?

Ngushtimi i përsëritur nuk nënkupton automatikisht se pacienti duhet t’i nënshtrohet një operacioni në zemër të hapur.

Në varësi të rezultateve të ekzaminimeve, kardiologët mund ta zgjerojnë përsëri segmentin e ngushtuar me një balon të veshur me medikament ose të vendosin një stent të ri.

Ultrazëri intravaskular (IVUS) dhe tomografia me koherencë optike (OCT) mundësojnë vlerësimin e arteries nga brenda dhe identifikimin e shkakut të restenozës.

Nëse dyshohet për trombozë akute të stentit, nevojitet vlerësim urgjent spitalor dhe, zakonisht, koronarografi emergjente.

Pse kontrollet janë të rëndësishme edhe kur nuk ka shqetësime?

Stenti trajton një ngushtim të caktuar, ndërsa ateroskleroza mund të vazhdojë të përparojë në pjesë të tjera të arterieve koronare.

Kontrolli i parë mund të planifikohet rreth një muaj pas ndërhyrjes, ndërsa kontrollet pasuese përcaktohen sipas gjendjes klinike të pacientit.

Gjatë monitorimit mund të përdoren elektrokardiograma (EKG), ekokardiografia dhe, sipas indikacioneve, testet për vlerësimin e ishemisë së miokardit.

Përsëritja e koronarografisë nuk është e nevojshme në mënyrë rutinore për çdo pacient pa simptoma.

Stenti hap arterien, por nuk e ndalon aterosklerozën

Vendosja e stentit nuk përfaqëson përfundimin e trajtimit të sëmundjes koronare.

Kontrolli i tensionit arterial, sheqerit në gjak dhe kolesterolit LDL, ndërprerja e duhanpirjes, ushqyerja mesdhetare, aktiviteti fizik i përshtatur dhe marrja e rregullt e terapisë reduktojnë rrezikun e komplikimeve kardiovaskulare.

Sipas Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë, vlera e synuar e kolesterolit LDL pas sindromës akute koronare është nën 1,4 mmol/L (55 mg/dL), me një reduktim prej të paktën 50 për qind krahasuar me vlerën fillestare.

Stenti mund ta mbajë arterien të hapur për shumë vite. Por mbrojtja afatgjatë e zemrës nuk varet vetëm nga rrjeta metalike e vendosur në enën e gjakut, por edhe nga kujdesi, disiplina dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet pacientit dhe kardiologut. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.