Portieri i kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric, po kalon një periudhë të vështirë te Sassuolo, pas disa gabimeve në ndeshjet e fundit që kanë ndikuar në rezultatet e skuadrës italiane.
Në disfatën 4-2 ndaj Frosinones në xhiron e kaluar, Muriq bëri disa gabime që kanë ngritur pikëpyetje rreth formës së tij. Situata e portierit kosovar është diskutuar edhe nga trajneri i Sassuolos, Alberto Aquilani, i cili foli për të premten në konferencë për shtyp.
Pavarësisht vështirësive të fundit, Aquilani ka shprehur respekt të madh për Muriqin, duke vlerësuar potencialin e tij dhe duke theksuar se dëshiron ta ndihmojë atë të rikthehet në formën më të mirë.
“Kam respekt të pafund për këtë lojtar. E shoh si portier me potencial të konsiderueshëm. Ai mund të luajë në çdo ligë në botë. Është e qartë se po kalon disa vështirësi. Gabimet e tij të përsëritura po ndikojnë tek ai dhe te ekipi”, deklaroi Aquilani.
Trajneri italian bëri të ditur se ka biseduar me portierin kosovar për situatën e krijuar, duke e përshkruar atë si një person të sjellshëm dhe inteligjent.
“Kemi folur për këtë dhe ai e di. Është një djalë i sjellshëm dhe inteligjent. Duhet ta ndihmoj atë dhe ekipin, dhe kjo është diçka që po e marr në konsideratë”, shtoi 42-vjeçari.
Ndërkohë, Muriqi mund të përballet me një ndryshim të rëndësishëm në ndeshjen e radhës.
Sassuolo luan të shtunën në udhëtim ndaj Comos, ndërsa Aquilani ende nuk ka vendosur nëse portieri 27-vjeçar do të jetë titullar apo do ta nisë takimin nga stoli./Telegrafi/

