Arsenali po analizon mundësinë e paraqitjes së një oferte për sulmuesin anësor të Paris Saint-Germainit, Bradley Barcola, sipas raportimeve të mediave britanike.
“Topçinjtë” e shohin francezin si një futbollist që mund ta përmirësojë menjëherë formacionin titullar, ndërsa përforcimi i repartit ofensiv mbetet një nga prioritetet kryesore të klubit pas një tjetër sezoni të suksesshëm në garat vendore dhe evropiane.
Interesim për 23-vjeçarin ka shfaqur edhe Liverpooli, megjithëse PSG-ja dëshiron ta mbajë në skuadër.
Megjithatë, kampionët e Francës janë të hapur për ndryshime në përbërjen e ekipit gjatë afatit kalimtar veror, gjë që mund t’u hapë rrugë klubeve të interesuara.
Strategjia e afatit kalimtar të PSG-së mund të ndikojë gjithashtu në negociata, pasi klubi francez po monitoron disa objektiva të Arsenalit, përfshirë sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, dhe mesfushorin e Aston Villës, Morgan Rogers.
Sipas raportimeve, Arsenali nuk e përjashton mundësinë e realizimit të dy transferimeve të rëndësishme në repartin ofensiv dhe në mesfushë, duke synuar si Barcolën ashtu edhe Rogersin.
Barcola vazhdon të konfirmojë potencialin e tij të jashtëzakonshëm pas një sezoni mbresëlënës me PSG-në, duke u konsideruar si një nga talentet më premtuese të futbollit evropian.
Ai gjithashtu gjeti rrugën e rrjetës në debutimin e tij në Kupën e Botës 2026, në fitoren 3-1 të Francës ndaj Senegalit. /Telegrafi/
