Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, nga fillimi i këtij procesi (e premte, 12 qershor, ora 21:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 17 qershor, ora 14:30) janë numëruar 223 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.
“Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë”, thuhet në njoftim.
Të dielën (14 qershor), KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981.
Sipas rezultateve të deritanishme të KQZ-së, VV-ja prin me 47.07 për qind të votave, duke grumbulluar 374 mijë e 995 vota dhe 53 ulëse në Kuvend.
Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22 mandate dhe 19.49 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 18 ulëse me 16.74 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 7 mandate me 6.73 për qind të votave. /Telegrafi/
