Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri në mesditën e së mërkurës do të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht përmes postës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri në fund të ditës së sotme do të procedohen për numërim 216 nga gjithsej 223 kuti votimi, në të cilat janë sistemuar zarfet me fletëvotime të diasporës.
Sipas tij, shtatë kutitë e mbetura pritet të fillojnë të numërohen në orët e mëngjesit të së mërkurës, duke e çuar drejt përmbylljes një nga fazat kryesore të procesit zgjedhor pas ditës së votimit.
Paralelisht me numërimin e votave të diasporës, KQZ do të nisë edhe procesin e numërimit të votave me kusht, i cili është zhvilluar në 52 vendvotime me kusht në mbarë vendin. Në këtë kategori janë evidentuar gjithsej 8,751 votues.
Po ashtu, do të fillojë edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta.
Me përfundimin e numërimit të votave nga diaspora dhe fillimin e trajtimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, procesi i numërimit të rezultateve zgjedhore po hyn në fazën përmbyllëse.
