Rrjeti social Threads i kompanisë Meta Platforms ka arritur një tjetër rekord të madh: më shumë se 500 milionë përdorues aktivë në muaj.
Platforma, e krijuar si rival i X, e ka arritur këtë shifër më pak se tre vjet pas lansimit.
Meta njoftoi se krahas rritjes së numrit të përdoruesve, Threads po sjell edhe funksione të reja për ta përmirësuar përvojën në platformë. Ndër ndryshimet janë mjete të reja për personalizimin e përmbajtjes dhe veçori që synojnë të forcojnë komunitetet brenda aplikacionit.
Threads u prezantua në vitin 2023 si një alternativë ndaj Twitter-it të atëhershëm, tashmë X, dhe që nga fillimi ka pasur rritje të shpejtë falë lidhjes së tij me Instagramin.
Rritja e Threads shihet si një sfidë e drejtpërdrejtë për platformën e Elon Musk. Edhe pse X vazhdon të ketë një bazë të madhe përdoruesish, Threads ka arritur të afrohet ndjeshëm dhe ka zgjeruar ndikimin në tregun e rrjeteve sociale.
Me këtë sukses, Meta po synon ta shndërrojë Threads në një nga platformat kryesore për komunikim publik online dhe një konkurrent serioz në hapësirën e rrjeteve sociale me bazë tekstin. /Telegrafi/
