Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i ka kërkuar publikisht falje presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për deklaratat e mëparshme që mund ta kenë ofenduar atë.
Në një deklaratë të bërë publike, Lukashenko tha se mund të ketë shkuar “tepër larg” në kritikat e tij ndaj liderit ukrainas, duke pranuar se nuk duhej të ishte shprehur aq ashpër duke pasur parasysh se Ukraina vazhdon të përballet me luftën.
“Nëse Volodymyr Oleksandrovych është ndier i fyer, i kërkoj falje për ato fjalë. Ndoshta nuk duhej të flisja kaq ashpër, duke pasur parasysh se ai ende është në luftë”, deklaroi Lukashenko.
Kreu bjellorus foli edhe për frikën e Kievit lidhur me mundësinë e hapjes së një fronti të ri nga veriu, duke theksuar se përfshirja e Bjellorusisë në konflikt nuk është në interesin e vendit të tij.
Sipas tij, hyrja në luftë do të ishte “e papranueshme”, pasi do t’i sillte Bjellorusisë më shumë pasoja negative sesa përfitime.
“Bjellorusia është shumë e cenueshme nga pikëpamja ushtarake nëse Ukraina fillon të na sulmojë në të njëjtën mënyrë siç sulmon Rusinë”, tha ai.
Deklaratat e Lukashenkos vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Minskut dhe Kievit mbeten të tensionuara për shkak të mbështetjes së ngushtë që Bjellorusia i ka dhënë Rusisë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, kërkimfalja publike ndaj Zelenskyt përbën një veprim të pazakontë nga lideri bjellorus, i cili rrallëherë ka zbutur publikisht retorikën ndaj udhëheqësve ukrainas. /Telegrafi/
