Gjermania e nisi në mënyrë mbresëlënëse Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Curacaon me rezultat të thellë 7-1.
Megjithatë, përveç dominimit në fushë, vëmendje të veçantë mori edhe përzgjedhësi gjerman, Julian Nagelsmann.
Tekniku 38-vjeçar u bë temë diskutimi pasi ndërroi veshjet tri herë gjatë ndeshjes, duke u shfaqur me kombinime të ndryshme në momente të ndryshme të takimit.
Nagelsmann fillimisht u paraqit para gazetarëve me një fanellë polo me vija dhe pantallona ngjyrë kafe.
Para fillimit të ndeshjes, ai kishte ndërruar veshjen, duke u shfaqur me një fanellë të zezë me stemën e kombëtares gjermane dhe pantallona të zeza.
Pas pushimit mes pjesëve, trajneri u rikthye në vijën anësore me një tjetër fanellë të zezë, për të cilën më vonë dha edhe shpjegimin.
“Ishte shumë nxehtë në pushim dhe fanella polo ishte tepër e ngrohtë. Fanella tjetër është më e hollë dhe ka emrat e tifozëve mbi të. Ata krijuan një atmosferë fantastike sot dhe desha t’i falënderoja duke vendosur disa prej emrave të tyre në fanellë”, deklaroi Nagelsmann.
Ndërsa fitorja bindëse e Gjermanisë ishte e pritshme ndaj Curacaos, ndërrimet e shumta të veshjeve nga Nagelsmann krijuan një histori të pazakontë jashtë fushës, që nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët dhe mediat. /Telegrafi/
