Gjermania ka shkruar një tjetër kapitull në historinë e Kupës së Botës pas fitores së thellë 7-1 ndaj Curaçaos në ndeshjen hapëse të turneut të vitit 2026.
Skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann dominoi plotësisht takimin, me golat që u realizuan nga Felix Nmecha, Nico Schlotterbeck, Kai Havertz (dy gola), Jamal Musiala, Tom Bischof Brown dhe Deniz Undav. Golin e vetëm për Curacaon e shënoi Livano Comenencia.
Përveç tre pikëve, kjo fitore kishte edhe një rëndësi historike për gjermanët. Shtatë golat e realizuar bënë që Gjermania të ngjitet në krye të listës së kombëtareve me më së shumti gola të shënuar në historinë e Kupës së Botës.
Tashmë Gjermania numëron 239 gola në turneun më prestigjioz të futbollit, duke lënë pas Brazilin, i cili mbetet në kuotën e 238 golave.
Brazili kishte mundësinë ta ruante vendin e parë më herët gjatë ditës, por u ndal në një barazim 1-1 ndaj Marokut. Vinicius Junior kaloi Seleçaon në epërsi, ndërsa Ismael Saibari barazoi shifrat për marokenët.
Si pasojë, Gjermania tani qëndron e vetme në krye të renditjes së golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës, duke shtuar një tjetër rekord në trashëgiminë e saj të pasur në këtë kompeticion.
Katër herë kampionët e botës e nisën në mënyrë perfekte edicionin 2026 dhe, përveç rezultatit bindës, morën edhe një rekord që për dekada kishte qenë në duart e Brazilit./Telegrafi/
