Kapiteni i Gjermanisë, Joshua Kimmich, ka deklaruar para ndeshjes hapëse të ekipit në Kupën e Botës se objektivi kryesor i skuadrës është t’i bëjë sërish gjermanët krenarë për kombëtaren e tyre.
Mesfushori i Bayern Munichut theksoi se futbollistët janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbajnë, pasi përfaqësojnë të gjithë vendin në turneun më të madh të futbollit.
“Ne duam ta bëjmë Gjermaninë krenare për ne përsëri. Ky është objektivi ynë kryesor. E kuptojmë se përfaqësojmë të gjithë vendin këtu. Kur luan për Gjermaninë në një turne të madh, e ndien se është diçka vërtet e veçantë”.
“Kemi një mundësi të madhe t’u sjellim gëzim njerëzve në Gjermani dhe të krijojmë një valë të re entuziazmi. Roli im si kapiten e bën këtë edhe më të veçantë”.
Kimmich shtoi se atmosfera brenda ekipit është shumë pozitive dhe se lojtarët do të japin maksimumin për të rikthyer emocionet që Gjermania përjetoi gjatë Kupës së Botës 2006.
“Shoh një atmosferë shumë pozitive brenda skuadrës sonë. Nëse japim gjithçka nga vetja, duke luajtur me zemër, vendosmëri dhe pasion, atëherë mund të arrijmë ta transmetojmë këtë energji në të gjithë vendin dhe të krijojmë të njëjtin entuziazëm që solli Kupa e Botës 2006. Atëherë isha fëmijë dhe e pashë gjithçka me sytë e mi”.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve gjatë momenteve të vështira.
“Sigurisht që do të ketë momente kur do të hasim vështirësi në fushë. Të dish se i gjithë vendi është pas teje mund të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme për ekipin”.
Gjermania do të përballet me Curacaon, Ekuadorin dhe Bregun e Fildishtë në fazën e grupeve të Kupës së Botës, ndërsa synon të rikthehet mes pretendentëve kryesorë për trofeun./Telegrafi/
