Këngëtarja dhe sipërmarrësja amerikane Jessica Simpson ka folur hapur për vështirësitë që përjetoi në fillimet e karrierës së saj muzikore, duke zbuluar se u përball me presion të madh për të ndryshuar pamjen fizike në mënyrë që të përshtatej me standardet e industrisë së muzikës.
Gjatë një koncerti të mbajtur së fundmi në Pensilvani, Simpson kujtoi periudhën kur u bë e famshme si adoleshente dhe tregoi se shumë shpejt e kuptoi se talenti i saj nuk ishte i vetmi aspekt mbi të cilin do të gjykohej.
Ajo tha se në fillim të karrierës ishte krahasuar vazhdimisht me yjet e muzikës pop, Britney Spears dhe Christina Aguilera.
“Mendoja se kisha nënshkruar kontratë vetëm për zërin tim, por më pas erdhi kërkesa: ‘Në rregull, duhet të humbësh rreth shtatë kilogramë’”, kujtoi Simpson.
Foto: Jessica Simpson/Instagram
Sipas saj, në atë kohë peshonte rreth 52 kilogramë, ndërsa një koment i tillë ishte veçanërisht i vështirë për t’u përballuar për një vajzë vetëm 17 vjeçe.
Artistja zbuloi se presioni nuk ndaloi me kaq. Me kalimin e kohës, asaj iu kërkua edhe të kishte bark të tonifikuar dhe një trup që përputhej me idealet e industrisë së argëtimit.
“Më kërkohej të përfaqësoja kaq shumë gjëra për të qenë ‘Jessica Simpson’. Vazhdimisht ndihesha sikur po dështoja, sikur nuk isha kurrë mjaftueshëm e mirë”, u shpreh ajo.
Foto: Jessica Simpson/Instagram
Vitet e fundit, Simpson ka folur shpesh për rëndësinë e pranimit të vetes dhe të dashurisë ndaj vetvetes. Në një paraqitje në emisionin “The Jennifer Hudson Show” vitin e kaluar, ajo e përshkroi rikthimin në muzikë si një proces personal, gjatë të cilit mësoi të pranonte dobësitë e saj dhe të gjente forcë pikërisht në to.
Kjo përvojë është reflektuar edhe në projektin e saj muzikor “Nashville Canyon: Part 1”, koleksioni i parë me këngë të reja që nga viti 2008.
Përveç sfidave me imazhin, Jessica Simpson ka folur së fundmi edhe për betejën e saj me varësinë nga alkooli. Gjatë koncerteve, ajo ndan gjithnjë e më shpesh detaje nga jeta personale, duke treguar se përballja me përvojat e së kaluarës e ka ndihmuar të rifitojë besimin në vetvete dhe në karrierën e saj.
Sot, Simpson thotë se ndihet më e sigurt se kurrë dhe se rikthimi në skenë e ka ndihmuar të gjejë sërish zërin dhe vetëbesimin që kishte humbur për vite me radhë. /Telegrafi/
Foto: Jessica Simpson/Instagram
