Google ka ngritur padi kundër një rrjeti kriminal kinez të krimit kibernetik, i cili ka përdorur inteligjencën artificiale të kompanisë, Gemini, për të kryer mashtrime masive në internet.
Gjiganti teknologjik është bashkuar me FBI-në (Federal Bureau of Investigation) dhe me operatorë kryesorë të telekomunikacionit në SHBA për të goditur këtë operacion kriminal dhe për ta çmontuar atë.
Kompania po ashtu ka bërë thirrje për ndryshime ligjore që të përballen më lehtë sulmet e krijuara nga inteligjenca artificiale.
Sipas Google, kjo është padi e parë e koordinuar e këtij lloji, gjë që tregon për përmasat e mëdha të skemës së mashtrimit.
Hetimi tregon se një grup i quajtur “Outsider Enterprise” ka përdorur teknologjinë e Google dhe emrin e saj për aktivitete kriminale, duke kërkuar mbylljen e menjëhershme të rrjetit.
Grupi dyshohet se ka përdorur Gemini për të krijuar faqe interneti të rreme që imitonin Google, YouTube dhe institucione shtetërore amerikane, përfshirë Shërbimin Postar të SHBA-së dhe sistemin e pagesave të taksave rrugore në New York.
Sipas të dhënave, kjo skemë ka prekur qindra mijëra viktima, me humbje financiare që arrijnë në miliona dollarë. Kriminelët kanë krijuar rreth 9.000 faqe të rreme dhe rreth 1 milion linke mashtruese, si dhe dhjetëra mijëra mesazhe spam me qëllim mashtrimi.
Google thotë se ky është një shembull i qartë i mënyrës se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për të “përforcuar” krimin kibernetik në shkallë të gjerë. /Telegrafi/
