Ish-kryeministri spanjoll, Jose Luis Rodriguez Zapatero, është përfshirë në një skandal të ri gjyqësor pasi hetuesit zbuluan në kasafortën e tij orë luksoze dhe stoli të çmuara me vlerë të vlerësuar rreth 1.2 milionë euro.
Përveç dyshimeve ekzistuese për trafik ndikimi, Zapatero tashmë po hetohet edhe për mashtrim tatimor dhe kontrabandë. Zbulimi i sendeve me vlerë u bë gjatë një kontrolli të kryer muajin e kaluar në zyrën e tij, në kuadër të hetimeve për përfshirjen e dyshuar në shpëtimin financiar të kompanisë ajrore spanjolle Plus Ultra në vitin 2021.
Sipas mediave spanjolle, ndër sendet e sekuestruara gjenden orë luksoze, qafore, byzylykë, unaza dhe vathë të shumtë. Bizhuteritë janë prej ari dhe të zbukuruara me safirë e smeralde, për të cilët besohet se vijnë nga Zambia ose Tajlanda.
Hetuesit dyshojnë për vepra penale që lidhen me evazionin fiskal dhe kontrabandën, pasi ekzistojnë dyshime se ish-kryeministri nuk disponon dokumentacion që vërteton pagesën e detyrimeve doganore për këto sende të çmuara, shkruan elpais.
Duke reaguar ndaj akuzave, zëdhënësi i Zapateros, Luis Arroyo, deklaroi shkurt se ish-kryeministri do të japë të gjitha shpjegimet e nevojshme para gjykatësit.
Nga ana tjetër, bashkëpunëtorët e tij kanë pretenduar më herët për agjencinë AFP se stolitë dhe sendet e sekuestruara janë pjesë e një trashëgimie familjare. Zapatero pritet të dëshmojë para gjykatës në fund të këtij muaji.
Ky zhvillim i fundit i ka thelluar problemet ligjore të ish-liderit socialist, i cili udhëhoqi Spanjën nga viti 2004 deri më 2011 dhe vazhdon të konsiderohet një figurë me ndikim në politikën spanjolle.
Në çështjen e kompanisë Plus Ultra, ai dyshohet se ka përdorur ndikimin e tij politik për t’i siguruar kompanisë 53 milionë euro ndihmë nga fondi shtetëror i krijuar për mbështetjen e ndërmarrjeve strategjike të goditura nga pandemia e coronavirusit. /Telegrafi/
