Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me aksionin e ndërmarrë dje në Prishtinë, ndaj disa bizneseve që dyshohen për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore-farmaceutike.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë zhvilluar veprime hetimore ndaj personave të dyshuar për ofrim të shërbimeve estetike pa autorizim ligjor.
Në kuadër të këtij operacioni janë zbatuar urdhëresa për kontroll në disa lokacione në Prishtinë, ku gjatë bastisjeve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të produkteve medicinale, regjistra të klientëve dhe shërbimeve të ofruara, si dhe pajisje elektronike përfshirë laptopë, njësi kompjuterike dhe DVR të kamerave të sigurisë.
Policia bën të ditur se në cilësi të të dyshuarve janë intervistuar 11 persona në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa katër 4 persona të tjerë janë pajisur me ftesë për t’u paraqitur në organet e hetuesisë.
Me vendim të prokurorit kompetent, të gjithë të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë.
Ky aksion lidhet me kontrollet e zhvilluara në rreth 15 biznese në Prishtinë, të cilat dyshohet se kanë ofruar shërbime estetike ilegale, përfshirë aplikimin e botoksit dhe ndërhyrje të tjera, pa licencë dhe pa staf të kualifikuar mjekësor. /Telegrafi/