Kompania izraelite, BlackCore, e cila dyshohet për ndërhyrje në zgjedhjet lokale në Francë, tani po përballet me akuza serioze për ndërhyrje edhe në proceset zgjedhore në New York dhe Skoci, si dhe për operacione në Angola dhe Togo, njoftoi shërbimi francez për zbulimin e dezinformatave, Viginum.
Muajin e kaluar, agjencia Reuters raportoi se autoritetet franceze dyshojnë se BlackCore qëndron pas një fushate online shpifjesh të drejtuar kundër tre kandidatëve për kryetar bashkie nga partia radikale e majtë dhe pro-palestineze La France Insoumise (LFI) gjatë zgjedhjeve lokale.
Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, së bashku me kryeministrin francez, Sebastien Lecornu, drejtori i Viginumit, Marc-Antoine Brillant, deklaroi se puna teknike e hetuesve i ka çuar drejtpërdrejt te kjo kompani izraelite. Më pas, Viginum publikoi një raport të detajuar mbi veprimtaritë e dyshuara të BlackCore në mbarë botën, raporton reuters.
“Ky model operimi nuk ishte i kufizuar vetëm në zgjedhjet komunale në Francë. Duket se është përdorur edhe për operacione të jashtme të ndërhyrjes digjitale në vende dhe rajone të tjera, si Angola, Togo, zgjedhjet në Skoci dhe zgjedhjet komunale në Nju Jork në vitin 2025”, tha Brillant.
Megjithatë, Brillant theksoi se ende nuk është e qartë se kush e ka angazhuar BlackCore për ndërhyrjen në Francë, pasi hetimi nuk ka arritur të identifikojë porositësit e fushatës.
Franca kërkon sqarime nga Izraeli
Kryeministri Lecornu deklaroi se qeveria franceze ka kërkuar zyrtarisht shpjegime nga Izraeli lidhur me aktivitetet e BlackCore, si dhe ndihmë për të zbuluar se kush qëndron pas fushatës së shpifjeve.
“Nuk kam asnjë dyshim se, nëse një grup privat francez do të kishte kryer një ndërhyrje të jashtme digjitale në Izrael nga territori francez, ata do të vepronin njësoj ndaj ambasadorit tonë atje”, tha Lecornu.
Ambasada e Izrael në Paris konfirmoi se Franca ka kontaktuar me të dhe se po pret detajet e hetimit francez për të zhvilluar një hetim të vetin.
“Izraeli, natyrisht, nuk ka asnjë synim të ndërhyjë në procesin politik francez, qoftë në nivel kombëtar apo lokal”, thuhet në deklaratën zyrtare të ambasadës.
Në shënjestër politikanë pro-palestinezë në New York dhe Skoci
Brillant nuk specifikoi qartë se kush ishte objektivi i zgjedhjeve të vitit të kaluar në New York, në të cilat fitoi Zohran Mamdani. Megjithatë, fitorja e Mamdanit u mirëprit nga shumë hebrenj të rinj progresistë, por shkaktoi shqetësim te qarqet më tradicionale pro-izraelite për shkak të mbështetjes së tij të hapur për çështjen palestineze.
Ekipi i Mamdanit, zyrtarët e New Yorkut, Federal Bureau of Investigation (FBI) dhe Cybersecurity and Infrastructure Security Agency (CISA) nuk kanë komentuar ose nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për deklarata.
Në një raport pasues, Viginum tha se janë zbuluar llogari të lidhura me BlackCore që kishin në shënjestër drejtpërdrejt John Swinney, kryeministrin e Skocisë.
Swinney më herët e kishte përshkruar situatën në Gaza si një “katastrofë humanitare të shkaktuar nga njeriu”, duke deklaruar se atje mund të jetë duke ndodhur gjenocid, duke iu referuar numrit të madh të viktimave civile, shkatërrimeve të gjera dhe deklaratave të zyrtarëve izraelitë. As ai dhe as partia e tij, Scottish National Party (SNP), nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Edhe qeveritë e Angola dhe Togo nuk kanë reaguar ende lidhur me këtë çështje.
Para se të fshinte plotësisht praninë e saj në internet pas pyetjeve të gazetarëve të Reutersit, BlackCore e përshkruante veten si një “kompani elitare e ndikimit, sigurisë kibernetike dhe teknologjisë, e ndërtuar për epokën moderne të luftës informative”.
Në materialet e saj promovuese, kompania pretendonte se u ofronte qeverive dhe fushatave politike “strategji të nivelit të lartë, mjete të avancuara dhe siguri të fuqishme për të formësuar narrativat publike”.
Deri më tani, BlackCore nuk u është përgjigjur kërkesave të përsëritura të mediave për koment. /Telegrafi/
