Taylor Swift u emocionua gjatë një fjalimi 21-minutësh në ceremoninë e “Songwriters Hall of Fame” në New York City, të enjten.
Artistja e njohur amerikane, fituese e çmimeve Grammy, e cila u shoqërua nga i fejuari i saj Travis Kelce gjatë këtij eventi madhështor, arriti një moment të rëndësishëm në karrierën e saj, duke u bërë gruaja më e re që është përfshirë ndonjëherë në “Songwriters Hall of Fame”.
Pas një homazhi nga Sombr dhe prezantimit nga regjisori i njohur Steven Spielberg, Swift doli në skenë për të reflektuar mbi rrugëtimin e saj në industrinë muzikore.
Në një moment, ajo u përlot ndërsa foli për sakrificat që prindërit e saj, Andrea dhe Scott, kishin bërë për ta ndihmuar të ndiqte ëndrrat e saj, sipas Variety.
“Për mua ishte e lehtë të zgjidhja shkrimin e këngëve mbi çdo gjë tjetër në jetën time,” tha ajo për publikun, si dhe për prindërit e saj që ishin të pranishëm në sallë.
“Por nuk mund të ketë qenë e lehtë për prindërit dhe vëllain tim të linin gjithçka dhe të zhvendosnin të gjithë familjen nga Pensilvania në Nashville, në mënyrë që unë të zhvilloja talentin tim në kryeqytetin e shkrimit të këngëve”.
Swift theksoi se prindërit e saj “kanë ndryshuar plotësisht jetën e tyre” kur kuptuan se pasioni i saj për muzikën dhe shkrimin e këngëve nuk ishte thjesht “një fazë e përkohshme e adoleshencës”.
“Dhe megjithëse fjalët janë gjëja ime, unë kurrë nuk do të mund t’ju shpreh mirënjohjen time për atë që keni bërë për mua.”
Këngëtarja ndaloi për pak çaste ndërsa u emocionua dhe më pas vazhdoi duke parë prindërit e saj në publik:
“Ju jeni arsyeja pse unë jam këtu sonte”.
Gjatë fjalimit të saj, Swift kujtoi gjithashtu momentin kur përmendi emrin e Steven Spielberg kur organizatorët e pyetën se kë dëshironte për ta prezantuar.
Brenda një ore, ajo mori telefonatë nga regjisori dhe bashkëshortja e tij Kate Capshaw.
“Ai më tha se do të ishte i nderuar të ishte pjesë e kësaj,” tha Swift, duke shtuar se ishte “e mahnitur” nga përgjigjja e tij.
Këngëtarja përmendi se orari i regjisorit mund të ishte i ngarkuar për shkak të filmit të tij të fundit, Disclosure Day, i cili del më 12 qershor. Ndërkohë, bashkëshortja e tij i tha disa fjalë të veçanta fitueses së Grammy.
