Numërimi mbrapsht ka filluar për Holandën. Pas katër ditësh, “Portokallinjtë” do të zbresin në fushë për ndeshjen e parë në Kupën e Botës 2026, ndërsa kapiteni Virgil van Dijk ka pranuar se skuadra ëndërron të shkojë shumë larg në turne.
“Nuk po shohim shumë larg, por të gjithë kemi ëndrra të mëdha”, deklaroi Van Dijk në konferencën për shtyp të së mërkurës.
Holanda nuk pati përgatitjet më të mira para turneut. Skuadra e Ronald Koeman u mposht 1-0 nga Algjeria në ndeshjen e lamtumirës para Botërorit, por reagoi duke mposhtur Uzbekistanin me rezultat 2-1 në miqësoren e fundit.
Për Van Dijk, ky Botëror mund të ketë një domethënie të veçantë edhe në aspektin personal. Nëse Holanda arrin deri në finale dhe ai luan në çdo ndeshje, mbrojtësi i Liverpoolit do të regjistrojë paraqitjen e 100-të me fanellën e kombëtares.
“Kjo do të ishte shumë e veçantë. Sigurisht, nuk jam i fokusuar fare te kjo statistikë, por do të ishte një mënyrë e bukur për ta mbyllur”, tha 34-vjeçari me buzëqeshje.
Një tjetër temë që vazhdon të diskutohet në kampin holandez janë kushtet në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht temperaturat e larta dhe cilësia e fushave.
“Shpresoj që të gjitha fushat të jenë po aq të mira sa ajo ku u stërvitëm sot. Kjo ishte një problem që u pa edhe gjatë Kupës së Botës për Klube”, theksoi Van Dijk.
Holanda konsiderohet një nga kombëtaret që mund të surprizojë në Botërorin 2026, ndërsa kapiteni i saj beson se skuadra ka potencialin për të realizuar ëndrrat e mëdha që ka para nisjes së turneut. /Telegrafi/
