Komuna e Ferizajt ka njoftuar se më 12 qershor 2026 do të nisë faza e katërt e projektit të dezinsektimit hapësinor, i cili synon eliminimin e insekteve, mushkonjave dhe mizave në territorin e komunës.
Sipas njoftimit, aktiviteti do të fillojë më 12 qershor, në orën 20:00, dhe do të përfshijë fillimisht qytetin e Ferizajt. Dezinsektimi do të nisë nga Parku i Lirisë dhe do të vazhdojë në rrugën “Brahim Ademi”, zonën përreth Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Palestrën e Sporteve, si dhe në një numër të madh rrugësh dhe lagjesh të qytetit, deri në fshatin Nikadin.
Më pas, aktiviteti do të shtrihet edhe në pjesën lindore të qytetit, duke përfshirë rrugët “Ahmet Kaçiku”, “Rexhep Bislimi”, “Vëllezërit Gërvalla”, “Kadri Zeka”, “Driton Islami”, “Reçaku” dhe zonat deri te magjistralja.
Komuna ka bërë të ditur se më 13 qershor, duke filluar nga ora 20:00, dezinsektimi do të vazhdojë në fshatrat Nikadin, Varosh, Rakaj, Gaçkë, Greme, Doganaj, Jezerc, Neredime, Manastirc, Balaj, Zaskok, Pleshinë, Gurëz, Komogllavë, Fshati i Vjetër, Bibaj, Sojevë, Talinoc i Muhaxherëve, Sazli, Softaj, Pojatë dhe Papaz.
Po ashtu, procesi do të realizohet edhe në fshatrat Talinoc i Jerlive, Muhoc, Prelez i Jerlive, Prelez i Muhaxherëve, Surqinë, Cërnillë, Mirash, Rahovicë, Mirosalë, Tërrn, Bablak, Zllatar, Dardani, Slivovë, Koshare, Lloshkobare, Dremjak dhe Kosinë.
Autoritetet komunale kanë theksuar se realizimi i dezinsektimit varet nga kushtet atmosferike. Në rast të reshjeve të shiut ose erërave të forta, aktiviteti do të shtyhet për ditën e parë me kushte të favorshme të motit dhe do të vazhdojë sipas planit të paraparë. /Telegrafi/
