Policia e Kosovës ka vlerësuar se procesi i zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës është zhvilluar në një ambient të qetë dhe të sigurt, pa incidente serioze që do të cenonin integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas komunikatës së Policisë, aktivitetet e planifikuara operative janë realizuar me sukses, falë angazhimit profesional të zyrtarëve policorë dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet përgjegjëse.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Policia e Kosovës ka angazhuar rreth 6,300 zyrtarë policorë, 720 automjete policore dhe afërsisht 320 patrulla reaguese, duke përfshirë hetues, zyrtarë të inteligjencës, policë kufitarë, zyrtarë të trafikut dhe njësi speciale.
Gjatë ditës së zgjedhjeve, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, janë iniciuar 17 raste penale që lidhen me procesin zgjedhor. Rastet përfshijnë veprat penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, “Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.
Lidhur me këto raste, pesë persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me organet kompetente të drejtësisë.
Policia njoftoi gjithashtu se gjatë ditës janë pranuar dhe trajtuar 53 informata të natyrave të ndryshme, por pas vlerësimit të tyre nuk janë gjetur elemente që do të kërkonin inicimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Në fund, Policia e Kosovës falënderoi qytetarët për nivelin e lartë të kulturës qytetare dhe bashkëpunimin e treguar, duke theksuar se ky angazhim ka kontribuar në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe integritetit të procesit demokratik në vend. /Telegrafi/
