Demokracia në Veprim njofton se dy orë para mbylljes së vendvotimeve, të dhënat nga terreni tregojnë që interesimi i qytetarëve për të votuar është i ulët, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë.
Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 është rreth 29%. Sa për krahasim, dalja në votime në kohën e njejtë në dy palë zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura gjatë 2025 ishte rreth 39%, pra 10% më e lartë.
Regjionet me dalje më të madhe janë komunat me shumicë serbe (42%), pasuar nga rajoni i Prishtinës ku dalja është 33%. Dalje më e vogël në zgjedhje është regjistruar në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, 23% respektivisht 24%.
Demokracia në Veprim njofton se edhe në pjesën e dytë të ditës, ka pasur mjaft raste kur votuesit janë gjendur në vendvotime joadekuate. Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 65% të vendvotimeve, me deri në 10 raste. Në rajonin e Prishtinës dhe Pejës kjo dukuri ka qenë e shprehur edhe deri në 30 raste (në 12% të vendvotimeve).
Trendi i votimit me asistencë që nga mëngjesi ka qenë i konsiderueshëm sipas KQZ-së.
Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 25% të vendvotimeve, deri në 4 raste.
Deri në orën 17:00, raste të fotografimit të votës kanë qenë gjithsej 25, të hasura në 4% të vendvotimeve.
Është raportuar edhe për disa incidente që kanë të bëjnë me tentime për të votuar në emër të familjarëve të tyre, por që të gjitha janë trajtuar nga policia në mënyrë profesionale.
