Kombëtarja e Iranit së bashku me pjesën tjetër të delegacionit, ka mbërritur në Tijuana të Meksikës, ku do të vazhdojë përgatitjet për Kupën e Botës.
Futbollistët iranianë udhëtuan nga Turqia, ku kishin zhvilluar fazën përgatitore gjatë javëve të fundit, ndërsa në aeroport u pritën nga forca të shumta të sigurisë, përfshirë ushtrinë dhe policinë meksikane.
Masat e shtuara të sigurisë janë ndërmarrë për shkak të tensioneve dhe konfliktit të vazhdueshëm mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme.
Rreth 50 tifozë iranianë ishin të pranishëm në Tijuana për të pritur ekipin e tyre kombëtar. Pas mbërritjes, autobusët e delegacionit iranian u shoqëruan nga një kordon ushtarak gjatë rrugës nga aeroporti drejt hotelit ku do të akomodohen gjatë qëndrimit në Meksikë.
Irani bën pjesë në Grupin G të Kupës së Botës. Ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 15 qershor kundër Zelandës së Re, ndërsa më 21 qershor do të përballet me Belgjikën.
Takimin e fundit të fazës së grupeve do ta luajë më 26 qershor në Seattle kundër Egjiptit. /Telegrafi/
