Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vënë në funksion platformën elektronike për publikimin e statistikave të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare.
Përmes kësaj platforme, qytetarët, mediat dhe subjektet politike mund të ndjekin në kohë reale ecurinë e procesit zgjedhor në të gjithë Kosovën.
Sipas KQZ-së, në platformë publikohen të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve nga 911 qendra të votimit me gjithsej 2,498 vendvotime, si dhe rezultatet preliminare të subjekteve politike pas përfundimit të numërimit të votave në vendvotime.
Të dhënat e fundit tregojnë se deri më tani në procesin e votimit kanë marrë pjesë 2.67 për qind e votuesve me të drejtë vote.
KQZ ka bërë të ditur se statistikat për pjesëmarrjen do të përditësohen periodikisht gjatë gjithë ditës, duke ofruar një pasqyrë të vazhdueshme mbi daljen e qytetarëve në votime.
Platforma për rezultatet preliminare dhe statistikat e pjesëmarrjes mund të aksesohet në: resultsparliamentary2026.kqz-ks.org. /Telegrafi/
