Qytetarët e Kosovës sot, më 7 qershor i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 2,092,174 qytetarë, ndërkaq për herë të parë do të votojnë 22,685 qytetarë të rinj.
Procesi zgjedhor zhvillohet në 949 qendra të votimit me gjithsej 2,550 vendvotime në të gjithë Kosovën.
Telegrafi.com do të përcjellë gjatë gjithë ditës ecurinë e procesit zgjedhor, ndërkaq, të gjitha lajmet lidhur me fushatën parazgjedhore mund t’i lexoni këtu: /Telegrafi/
07/06/2026 08:14- Kosova voton sot – hapen vendvotimet në mbarë vendin

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vend, pasi materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet është shpërndarë me kohë gjatë orëve të hershme të mëngjesit.
Në një konferencë për media, Elezi bëri të ditur se në listën e votuesve janë të regjistruar 1,959,962 qytetarë me të drejtë vote, duke i ftuar ata që të marrin pjesë në proces dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
07/06/2026 08:01- Si mund ta verifikoni online qendrën tuaj të votimit?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të gjithë qytetarët me të drejtë vote mund të kontrollojnë lehtësisht vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit përmes platformës elektronike të institucionit.
KQZ u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë shërbim për t’u informuar me kohë rreth vendvotimit të tyre dhe për të lehtësuar procesin e votimit në ditën e zgjedhjeve.
Për verifikimin e qendrës së votimit mund të përdoret platforma: qv.kqz-ks.org.
07/06/2026 07:35- Radoniqi voton në Pejë, bën thirrje për respektimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka ushtruar të drejtën e votës në Pejë, me ç’rast u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proces që të respektojnë ligjin dhe rregullat zgjedhore.
Radoniqi tha se KQZ-ja ka qenë e angazhuar intensivisht në përgatitjet për ditën e zgjedhjeve dhe se të gjitha procedurat e nevojshme janë përmbyllur me kohë.
07/06/2026 07:25- Këto janë 38 qendrat e votimit me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e përgjithshme të qendrave të votimit në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit më 7 qershor 2026 në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me qëllim të mundësimit të votimit me kusht, KQZ ka caktuar në çdo komunë nga një qendër votimi me kusht. Pra, në të gjithë Republikën e Kosovës, janë vetëm 38 qendra votimi me gjithsej 52 vendvotime në të cilat lejohet votimi me kusht.
Lajmi i plotë këtu:
07/06/2026 07:20- 22,685 persona do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 7 qershorit

Qytetarët e Kosovës sot i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,092,174 votues.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues.
07/06/2026 07:14- Mbi 100 prokurorë të angazhuar në mbrojtje të votës

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat mbahen të dielën më 7 qershor 2026, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në njoftim bëhet e ditur se në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, gjersa bëhet thirrje që të denoncohet çdo keqpërdorim apo manipulim i votës.
07/06/2026 07:10- Policia me urdhër operativ për zgjedhjet, publikon numrat ku mund të raportoni çdo rast të kundërligjshëm

Policia e Kosovës, bazuar në ligjet pozitive të vendit dhe autorizimeve institucionale, ka hartuar urdhrin operativ dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen sot, më 7 qershor 2026.
“Si zakonisht, inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.
Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike info@kosovopolice.com si dhe në stacionet më të afërta policore”, thuhet në njoftim.
