Ish-trajneri i Real Madridit, Fabio Capello, ka zbuluar se ishte ai që e detyroi Ronaldon të largohej nga klubi, pavarësisht se e konsideron legjendën braziliane si lojtarin më të mirë që ka stërvitur ndonjëherë.
Duke folur në Milano Football Week, Capello vlerësoi talentin e jashtëzakonshëm të Ronaldos, por pranoi se mënyra e tij e jetesës jashtë fushe u bë përfundimisht shumë e vështirë për t’u menaxhuar.
“Pa dyshim, Ronaldo është lojtari më i mirë me të cilin kam punuar. Është e vërtetë që nuk i pëlqente të bënte sakrifica apo të stërvitej, por kishte cilësi që nuk i kam parë te asnjë lojtar tjetër, vërtet unik”, tha Capello.
Pavarësisht admirimit për ish-sulmuesin, trajneri italian shpjegoi se sjellja e Ronaldos jashtë futbollit e bindi se largimi ishte i domosdoshëm.
“Ronaldo e donte jetën e natës. Pas këtyre daljeve mund t’ia ndjeje alkoolin në dhomën e zhveshjes, dhe shpesh i tërhiqte edhe disa nga bashkëlojtarët me vete. Unë e detyrova të largohej”.
Capello rikujtoi gjithashtu se si u realizua më pas kalimi i Ronaldos te Milan, pas një bisede me ish-pronarin e “Rossonerëve”, Silvio Berlusconi.
“Fola me Berlusconin dhe i thashë se do ta dërgonim Ronaldon në Arabinë Saudite, prandaj ai më pyeti si sillet lojtari”.
“I thashë se i pëlqente të kënaqej dhe të dilte. Të nesërmen lexova në gazetë se Ronaldo po shkonte te Milani”.
Ronaldo e finalizoi transferimin te Milani në janar 2007, duke u rikthyer në “San Siro” pesë vjet pasi ishte larguar nga Interi për t’u transferuar te Real Madridi./Telegrafi/
